Kosova obligohet t’i paguajë mbi 20 milionë euro dëmshpërblim kompanisë së njohur

  • A.P /
  • 05 October 2023 - 18:00
Kosova obligohet t’i paguajë mbi 20 milionë euro dëmshpërblim kompanisë së njohur

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, Republika e Kosovës e ka humbur një betejë me kompaninë “ContourGlobal”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Me këtë vendim, Kosova obligohet t’i paguajë mbi 20 milionë euro dëmshpërblim kompanisë në fjalë.

Lajmin e ka konfirmuar Zyra për Komunikim e Ministrisë së Drejtësisë.

“Avokatura Shtetërore e ka pranuar vendimin final të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, (ICC). Vendimi i Arbitrazhit e obligon Republikën e Kosovës që t`ia paguaj Countur Global-it shumën prej 20,053,125.63 euro”, ka thënë MD.

Por, Ministria që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se këtë vendim do ta sfidojnë në gjykatën civile të Mbretërisë së Bashkuar.

“Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe i njëjti do të sfidohet në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në përgjigje.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, në dhjetor të vitit 2017. Në atë kohë, kryeministër ishte Ramush Haradinaj.

Në mars të vitit 2020, kompania ishte tërhequr nga ndërtimi i termocentralit dhe e kishte dërguar Kosovën në Arbitrazh për mosrespektim të kontratës.

Kompania kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.

(Kosova Sot Online)