Policia: Kemi marrë kërkesa nga qytetarët në veri për t’i regjistruar veturat me targa RKS

  • A.P /
  • 19 October 2023 - 16:09
Policia: Kemi marrë kërkesa nga qytetarët në veri për t’i regjistruar veturat me targa RKS

Qytetarët serbë në Veri po kërkojnë që t’i riregjistrojnë automjetet e tyre me targa “RKS”. Me këtë kërkesë të qytetarëve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Veri i është drejtuar MPB’së, mirëpo deri tash thonë se nuk kanë pranuar përgjigje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Targat janë një nga çështjet më të nxehta mes Kosovës dhe Serbisë, që ka qenë edhe ‘mollë sherri’ për shumë tensione në pjesën veriore. Qytetarët atje me vite kanë refuzuar që të marrin targat “RKS”, pasi ata vazhdimisht kanë marrë targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Ditëve të fundit Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Veri ka pranuar kërkesa nga qytetarët serbë që t’i riregjistrojnë automjetet me targa ‘RKS’.

Zëvendësdrejtori i Policisë për veri, Veton Elshani  tha  se kërkesën e qytetarëve e kanë drejtuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme por se deri tani nuk kanë pranuar përgjigje.

“Ka interesim nga qytetarët që t’i regjistrojnë veturat me targa ‘RKS’. Meqë kemi pasur shumë kërkesa nga qytetarët në Veri, atëherë ne i jemi drejtuar MPB’së me kërkesën që ta gjejmë një zgjidhje që t’ua plotësojmë këtë kërkesë qytetarëve atje, mirëpo deri tash nuk kemi pranuar përgjigje”, tha Elshani

(Kosova Sot Online)