Si po e llogarit Ministria e Shëndetësisë e Gazës numrin e të vrarëve në luftë?

  • S.A /
  • 28 October 2023 - 08:24
Si po e llogarit Ministria e Shëndetësisë e Gazës numrin e të vrarëve në luftë?

Sa palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej se nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit?

Nuk është e lehtë të japësh përgjigje të saktë derisa Izraeli e mban të rrethuar dhe e bombardon pareshtur Gazën. Shërbimi telefonik nuk është i mirë. Rrymë dhe internet nuk ka. Rrugët janë prishur dhe lagjet janë rrafshuar nga bombardimet, duke e ngadalësuar punën e ekipeve të shpëtimit, transmeton "Kosova sot Online".

Mjekët shkarravisin në fletoret e tyre në korridoret e spitaleve dhe morgjeve të mbingarkuara, duke pasur vështirësi t’i llogarisin trupat e ngecura nën rrënoja dhe të hedhur në varrezat masive të gërmuara me nxitim. E gjithë kjo rrëmujë i ka shtuar mundësitë për gabime.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë në Gazë – një agjenci në Qeverinë e udhëhequr nga Hamasi – vazhdon ta llogarisë numrin e përgjithshëm të të vrarëve. Ajo e publikoi raportin e parë të hollësishëm për numrin e të vrarëve të enjten, duke dhënë emrat, numrat personalë, moshën dhe gjininë e palestinezëve për të cilët thotë se janë vrarë.

Numri i përgjithshëm i të vrarëve është 7.028 palestinezë, përfshirë 2.913 fëmijë, sipas kësaj Ministrie.

Ministria është burimi i vetëm zyrtar për numrin e të vrarëve në Gazë. Izraeli i ka mbyllur kufijtë e Gazës duke ua ndaluar hyrjen gazetarëve të huaj dhe punëtorëve humanitarë.

Associated Press është në mesin e një numri të vogël të organizatave ndërkombëtare të lajmeve që ka ekip brenda Gazës. Derisa këta gazetarë nuk mund ta bëjnë një llogaritje gjithëpërfshirëse, ata e kanë parë një numër të madh të kufomave në vendet e goditura nga sulmet ajrore, në morgje dhe në varrime.

Kombet e Bashkuara dhe institucionet e tjera ndërkombëtare dhe ekspertët, si dhe autoritetet palestineze në Bregun Perëndimor – rivalët e Hamasit – thonë se Ministria e Gazës ka bërë përpjekje të mirëbesimit për kohë të gjatë për numrin e të vrarëve edhe në kushtet më të vështira.

“Numrat mund të mos jenë plotësisht të saktë kur jepen minutë pas minute, por ata pasqyrojnë dukshëm shkallën e të vrarëve dhe plagosurve”, tha Michael Ryan nga Programi për Emergjenca Shëndetësore i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në luftërat e kaluara, përllogaritjet e kësaj Ministrie i kanë mbijetuar edhe vlerësimeve të thella të OKB-së, hetuesve të pavarur dhe madje vetë Izraelit.

Megjithatë, çka veçohet është numri i të vrarëve që e llogariti kjo Ministri nga një shpërthim në Spitalin al-Ahli në Gazë, javën e kaluar.

Ka pasur akuza kundërthënëse se kush ishte përgjegjës, me Hamasin që e fajësoi Izraelin, ndërsa Izraeli tha se shpërthimi ndodhi si pasojë e dështimit të një rakete të shkrepur nga militantët palestinezë.

SHBA-ja dhe Franca erdhën në përfundim se me gjasë shpërthimi u shkaktua nga një raketë e shkrepur keq. Një analizë nga AP-ja e pamjeve satelitore, fotografive dhe videove, si dhe konsultimi me ekspertët, tregojnë se shpërthimi ndodhi me gjasë nga një raketë e hedhur nga territori palestinez e cila shkoi keq dhe ra në spital. Megjithatë, nuk ka qenë e mundur të arrihet në një përfundim definitiv.

Ka pasur edhe llogaritje kundërthënëse të numrit të të vrarëve nga ky shpërthim. Brenda një ore, Ministria e Gazës raportoi për 500 palestinezë të vrarë, pastaj të nesërmen e uli numrin në 471. Izraeli thotë se Ministria e fryu numrin e përgjithshëm. Agjencitë e inteligjencës amerikane vlerësojnë se janë vrarë nga 100 deri në 300 njerëz, por nuk kanë treguar se si e bënë këtë llogaritje.

Më poshtë mund ta lexoni një pasqyrim të mënyrës se si Ministria e Shëndetësisë e Gazës e ka llogaritur numrin e të vrarëve prej fillimit të luftës.

E gjithë kjo huti ka hedhur dyshim mbi besueshmërinë në Ministrinë e territorit të udhëhequr nga Hamasi.

Si vjen Ministria deri te numri i përgjithshëm i të vdekurve?

Burimi më i cituar i Gazës për numrin e të vrarëve është zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashra fal-Qidra. Nga një zyre në Spitalin Shifa në Qytetin e Gazës, al-Qidra pranon të dhëna vazhdimisht nga çdo spital në Gazë.

Administratorët e spitaleve thonë se mbajnë shënime për çdo person të plagosur që zë një shtrat dhe për çdo kufomë që sillet në morg. Ata i fusin këto të dhëna në një sistem kompjuterik të cilin e ndajnë me al-Qidran dhe kolegët. Sipas fotografive që drejtorët e spitalit ia kanë dërguar AP-së, sistemi duket si një fletëllogaritës i ngjyrosur i ndarë në kategori: emri, numri personal, data e pranimit në spital, lloji i lëndimit, gjendja shëndetësore.

Emrat nuk janë gjithmonë në dispozicion, tha al-Qidra. Ai dhe kolegët e tij përballen me pengesa për shkak të valëve të dobëta lidhëse, por thonë se telefonojnë për t’i kontrolluar përsëri numrat.

Ministria mbledh të dhëna edhe nga burime të tjera, po ashtu, përfshirë nga Kryqi i Kuq Palestinez.

“Çdo person që futet në spitalin tonë regjistrohet”, tha Atef Alkahlout, drejtor i Spitalit Indonezian të Gazës.

Ministria publikon të dhëna për numrin e të vrarëve çdo disa orë, duke treguar sa burra, gra dhe fëmijët janë vrarë. Ajo zakonisht nuk ofron emra, moshë apo lokacione të të vrarëve. Informacionet i merr nga reporterët në terren apo nga zyra për media e Qeverisë së udhëhequr nga Hamasi.

Por, të enjten, si përgjigje ndaj dyshimeve të SHBA-së për shifrat që i ofron ajo, Ministria e publikoi një raport 212-faqesh, në të cilin e renditi çdo palestinez të vrarë në luftë deri tani, përfshirë emrat e tyre, numrat personalë, moshën dhe gjininë. Një kopje e raportit, që iu nda AP-së, tregon me emër 6.747 palestinezët e vrarë dhe thonë se 281 trupa të tjerë nuk janë identifikuar ende.

Ministria kurrë s’e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve. Kjo bëhet më e qartë pasi të qetësohen gjërat, kur grupet e OKB-së për të drejtat e njeriut kryejnë hetime dhe grupet militante tregojnë për numrin e anëtarëve të vrarë.

Edhe Ushtria e Izraelit kryen hetime pas luftës.

Kush punon në Ministri? Hamasi, si autoriteti sundues i Gazës, ushtron kontroll mbi Ministrinë e Shëndetësisë. Por, ajo dallon nga agjencitë politike dhe të sigurisë të cilat i udhëheq Hamasi.

Autoriteti palestinez, i cili e udhëhoqi Gazën para se Hamasi ta merrte pushtetin në dorë më 2007, e mban pushtetin në shërbimet shëndetësore dhe arsimore në Gazë, megjithëse është me bazë në Bregun e uzurpuar Perëndimor.

Ministria është një përzierje mes punëtorëve të emëruar së fundmi nga Hamasi dhe shërbyesve të moçëm civilë të lidhur me partinë nacionaliste laike, Fatah, thonë zyrtarët.

Autoriteti i mbizotëruar nga Fatah, i cili i administron qytetet palestineze në Bregun Perëndimor të uzurpuar nga Izraeli, e ka Ministrinë e vet në Ramallah, e cila akoma e furnizon me pajisje mjekësore Gazën, si dhe i paguan pagat në Ministrinë e Shëndetësisë dhe kryen transferimin e pacientëve nga enklava e bllokuar në spitalet izraelite.

Ministrja e Shëndetësisë në Ramallah, Mai al-Kaila, i udhëheq dy ministritë njëkohësisht. Zëdhënësi i saj është me bazë në Gazë.

Ministria në Ramallah tha se i beson partnerit të vet në Gazë për shifrat e të vrarëve dhe se i duhet më shumë kohë për t’i publikuar ato, për shkak se tenton t’i konfirmojë ato me stafin e vet në Gazë

Hamasi e kontrollon rreptë qasjen në informacione dhe e udhëheq zyrën për media të Qeverisë, e cila ofron hollësi për sulmet ajrore izraelite. Por, punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë ngulin këmbë se Hamasi nuk i dikton shifrat e të vrarëve.

“Hamasi është njëra nga degët. Disa nga ne jemi të lidhur me Fatah, disa janë të pavarur”, tha Ahme dal-Kahlot, drejtor i Spitalit Kamal Adwan në veri të Gazës.

“Mbi të gjitha, ne jemi profesionistë shëndetësorë”, shtoi ai.

Regjistri nga luftërat e kaluara

Gjatë katër luftërave të përgjakshme mes Izraelit dhe Hamasit, agjencitë e OKB-së e kanë cituar Ministrinë e Shëndetësisë për numrin e përgjithshëm të të vdekurve në raportet e tyre të rregullta. Njëlloj kanë bërë edhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Kryqi i Kuq Palestinez.

Pas përfundimit të luftës, zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut e publikon numrin e përgjithshëm përfundimtar të të vrarëve bazuar në hetimet e veta në regjistrat mjekësorë.

Në të gjitha rastet, shifrat e OKB-së kanë qenë gati plotësisht në përputhje me ato të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, me disa dallime të vogla.

Derisa Izraeli dhe palestinezët kanë mospajtime për numrin e militantëve krahasuar me civilët e vrarë në luftërat e kaluara, shifrat e Izraelit për numrin e të vrarëve kanë qenë gati të ngjashme me ato të Ministrisë. Për shembull, Ministria e Jashtme e Izraelit tha se në luftën e vitit 2014 u vranë 2.125 palestinezë – një numër pakëz me i vogël se ai i dhënë nga Ministria.

Po shpërthimi në spital?

Më pak se një orë pasi pamjet e shpërthimit dolën në rrjetet sociale, Ministria raportoi për 200 deri në 300 të vrarë në Spitalin al-Ahli. Një orë më vonë, Ministria tha se numri u rrit në 500. Të nesërmen, ajo e uli numrin në 471, pa dhënë hollësi.

Agjencitë perëndimore thanë se besojnë se numri i përgjithshëm i të vrarëve është dukshëm më i vogël.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se nuk ka besim në saktësinë e Ministrisë. Megjithatë, Qeveria amerikane e citon shpesh Ministrinë e Gazës për vlerësimet e saj vjetore të të drejtave të njeriut në rajon.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës i qëndron mbrapa shifrës prej 471 të vrarë dhe e përfshin atë në numrin e përgjithshëm të të vrarëve gjatë kësaj lufte në Gazë. Kur pyeten për shifrat kundërthënëse, autoritetet nënvizojnë vështirësitë në punën e tyre dhe e mohojnë në çdo mënyrë fabrikimin e tyre.

“Ne kishim shumë vështirësi sepse trupat ishin të copëtuara, pjesë të trupit ishin gjithandej”, tha zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë, Mehdat Abbas./REL