I akuzuar për grusht shtet, mik i Vuçiqit, kundërshtar i pavarësisë së Kosovës: Kush është Andrija Mandiq, kryetar i ri i parlamentit malazez?

  • E.K /
  • 31 October 2023 - 08:29
I akuzuar për grusht shtet, mik i Vuçiqit, kundërshtar i pavarësisë së Kosovës: Kush është Andrija Mandiq, kryetar i ri i parlamentit malazez?

Andrija Mandiq është kryetar i ri i Parlamentit të Malit të Zi.

Mandiq konsiderohej si një nga kritikët më të mëdhenj të Milo Gjukanoviqit dhe partisë së tij Demokratike të Socialistëve (DPS).

Ai kundërshtoi ndarjen e Malit të Zi nga Serbia, pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Malit të Zi në aleancën e NATO-s.

Mandiq dhe Nebojsha Medojeviq, lideri i Lëvizjes për Ndryshim, formuan një koalicion të quajtur Fronti Demokratik përpara zgjedhjeve të vitit 2012, shkruan Ballkani.info.

Në mesin e vitit 2017, Mandiq dhe Milan Knezheviq ishin në mesin e të akuzuarve për tentativën e supozuar për grusht shteti në ditën e zgjedhjeve 2016.

Prokurori special i shtetit deklaroi se natën e zgjedhjeve ishte planifikuar të futej në objektin e Kuvendit, të arrestohej dhe të likuidohej kryeministri i atëhershëm, Milo Gjukanoviq, kujton RTV.

Gjyqi filloi më 24 maj 2017 dhe Mandiq u deklarua i pafajshëm.

Në maj të vitit 2019, Gjykata e Lartë në Podgoricë dënoi Mandiqin dhe Knezheviqin me pesë vjet burg.

Megjithatë, më 9 shkurt 2021, Gjykata e Apelit në Podgoricë e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë.

Në fund të dhjetorit 2019, shumica qeverisëse në Parlamentin e Malit të Zi miratoi Ligjin për Lirinë e Fesë, i cili përcakton se shteti bëhet pronar i të gjitha objekteve fetare që janë ndërtuar para dhjetorit 1918, nëse bashkësitë fetare nuk dëshmojnë pronësinë.

Kësaj i ka paraprirë një diskutim që ka rezultuar në një konflikt mes deputetëve të DF-së dhe deputetëve të koalicionit qeverisës.

Janë ndaluar 20 deputetë të opozitës, 13 prej të cilëve janë arrestuar për shkelje të ligjit për rendin dhe qetësinë publike.

Mes tyre ishte Andrija Mandiq, i cili u bëri thirrje besimtarëve të Kishës Ortodokse Serbe që të dalin në rrugë për të parandaluar plaçkitjen e vendeve të shenjta.

Në maj të vitit 2019, ai u paraqit në paradën ushtarake “Mbrojtja e Lirisë” në Nish si mysafir i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ngjarja në Nish praktikisht pasoi gjykimin në Podgoricë, ku Mandiq u dënua me pesë vjet burg për rastin “Grusht shteti”.

Nga Nishi, ai në atë kohë tha se “pas atij vendimi qëndron presidenti Gjukanoviq dhe vëllai i tij”, të cilët, siç theksoi, “duke pasur parasysh qëndrimin e tyre ndaj serbëve në Mal të Zi, ata nuk mund të jenë miq të Serbisë dhe Republikës Srpska”.

Mandiq e filloi karrierën e tij politike në vitin 1990.

Ai ishte aktivist i Unionit të Forcave Reformuese të Anto Markoviqit. Pas rënies së RSFJ-së ai u tërhoq për një kohë nga politika.

Gjatë RFJ-së, si anëtar i Partisë Popullore, ai ishte zëvendësministër federal i tregtisë në qeverinë e Millosheviqit.

Pas largimit të Millosheviqit nga pushteti, ai u kthye në Mal të Zi, ku u bë kryetar i Partisë Popullore Serbe, në themelimin e së cilës mori pjesë.

Ai gjithashtu udhëhoqi koalicionin e listës Srpska, para së cilës ai kandidoi në zgjedhjet e vitit 2008. Një vit më pas, ai u bë kreu i Demokracisë së Re Serbe të sapothemeluar.

Pas vendimit të qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Mandiq hyri në grevë urie për 13 ditë.

Siç tha ai, Mali i Zi është “më serbja nga të gjitha vendet serbe”, dhe “Kosova është zemra e Malit të Zi”.

Ai pohoi se serbët në Mal të Zi janë më afër serbëve nga zona përreth sesa me malazezët.

Ai ka lindur në vitin 1965 në Shavnik.

Ka diplomuar në Fakultetin e Metalurgjisë dhe Teknologjisë në Podgoricë. Përveç politikës, ai merret edhe me sipërmarrje.

Ai ishte drejtor dhe bashkëpronar i një shoqërie aksionare për përpunimin e metaleve me ngjyra dhe organizoi prodhimin e parë privat të lidhjeve të aluminit në Mal të Zi.

Titulli i dukës çetnik i është dhënë në vitin 2007 sipas testamentit të dukës çetnik Milo Rakoçeviq, kujton Radio Evropa e Lirë.

Madiq është i martuar me Sanja Mandiqin, me të cilën ka dy fëmijë, djalin Ilija dhe vajzën Milena. 

(Kosova Sot Online)