Krasniqi: Kryeministri i di mirë shifrat e larta të qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën, po frikësohet nga zyrtarzimi i tyre

  • E.K /
  • 01 November 2023 - 14:53
Krasniqi: Kryeministri i di mirë shifrat e larta të qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën, po frikësohet nga zyrtarzimi i tyre

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se sot do të duhej të fillonte regjistrimi i poullësisë, por thekson se atë po e pengon kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kryetari i PDK-së ka thënë se Kurti e ka politizuar Agjencinë e Statistikave dhe përveç kësaj shton se e ka humbur kontrollin faktik në Veri të vendit.

Tutje, Krasniqi ka thënë se Kryeministri i di mirë shifrat e larta të qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën, prandaj po frikësohet nga zyrtarzimi i tyre.

Krasniqi shtoi se ky (mos)veprim i Qeverisë është edhe shkelje ligjore.

Reagimi i plotë:

Sot është dashur të filloj regjistrimi i popullsisë në Kosovë, edhe pse me vonesë të madhe. Por, siç e kam thënë publikisht me 5 korrik, me 24 gusht dhe shumë herë të tjera deri sot, regjistrimin e popullsisë po e pamundëson Kryeministri Kurti.

Përveç që e ka politizuar skajshëm me ndërhyrje partiake Agjencinë e Statistikave të Kosovës, si dhe ka humbur kontrollin faktik në pjesën veriore të vendit, Kryeministri i di mirë shifrat e larta të qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën, prandaj po frikësohet nga zyrtarzimi i tyre.

Përtej paaftësisë qeverisëse, ky (mos)veprim i Qeverisë është edhe shkelje ligjore!

(Kosova Sot Online)