Marrëdhëniet me Rusinë: Maqedonia e Veriut qind për qind e harmonizuar me BE-në

  • S.A /
  • 09 November 2023 - 13:00
Marrëdhëniet me Rusinë: Maqedonia e Veriut qind për qind e harmonizuar me BE-në

Maqedonia e Veriut ka arritur tërësisht të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian (BE) që nga fillimi i agresionit të Rusisë në Ukrainë. Këtë e ka evidentuar Raporti i Progresit të Komisionit Evropian (KE), i publikuar sot në Bruksel, ku thuhet se në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë (CFSP), shkalla e përafrimit të vendit me Brukselin është 100 për qind, transmeton "Kosova Sot Online ". 

“Kjo përfshin të gjitha masat kufizuese të BE-së që synonin pas luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, theksohet në Raport. Sipas dokumentit, ky është një sinjal i fortë i përkushtimit strategjik të Maqedonisë së Veriut në rrugën e tij drejt BE-së. “Maqedonia e Veriut gjithashtu u rreshtua me të gjitha deklaratat e BE-së të dorëzuara në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë rezolutën e miratuar në Sesionin Special Emergjent të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Ukrainën më 23 shkurt 2023”, thuhet në Raport.

Rekomandimet e Brukselit janë që autoritetet në Shkup të vazhdojnë të forcojnë kapacitetin e tyre për të zbatuar sanksionet në fuqi. Pasi harmonizimi me masat kufizuese të BE-së nuk ka efekt të drejtpërdrejtë ligjor, Raporti thekson se Qeveria e Maqedonisë së  Veriut me vendim të veçantë e bën të plotfuqishme çdo masë sanksionuese, gjë që është e bazuar në Ligjin vendas për masat restriktive. Kjo, sipas dokumentit, krijon një hendek kohor midis harmonizimit formal dhe zbatimit në praktikë.

Në Raport përmendet edhe ndërprerja e Marrëveshjes të Vizave me Rusinë, masë që hyrë në fuqi në janar të vitit 2023, ndërkohë që theksohet edhe tërhoq lejes së Konsullit të Nderit të Rusisë në Manastir. Maqedonia e Veriut ka një nivel të mirë përgatitjeje në fushën e politikës së përbashkët të jashtme, Në vitin e ardhshëm, Brukseli rekomandon Shkupin që “të ruajë harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së” dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme për “të mbyllur hapësirën për ndërhyrjet e huaja dhe manipulimin e informacionit, duke përfshirë dezinformimin”, si dhe të ndërmarrë veprime drejt forcimit të resiliencës shoqërore ndaj dezinformimit apo formave të tjera të kërcënimeve hibride.

Në vitin 2023, thuhet në Raport, Maqedonia e Veriut ka luajtur një rol aktiv në një kontekst kompleks gjeopolitik gjatë mandatit të saj si kryesuese e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Agresioni i Rusisë në Ukrainë ka përkeqësuar ekonominë e vendit, duke sjellë çmime të larta të energjisë, mallrave dhe ushqimeve dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit.

“Rritja e Prodhimit Bruto të Brendshëm (PBB) u ngadalësua, pasi ekonomia u godit nga pasojat e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Pas një rikuperimi të pjesshëm nga recesioni i shkaktuar nga pandemia COVID-19, rritja vjetore e PBB-së u ngadalësua në 2.1% në 2022, nga 3.9% në 2021, pasi kërkesa e jashtme u dobësua, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit global vazhduan dhe çmimet globale të ushqimit dhe energjisë u rritën me shpejtësi”, thuhet në Raport. Marrëdhëniet me Ukrainën, sipas dokumentit, janë intensifikuar që nga fillimi i agresionit të Rusisë. “Maqedonia e Veriut deklaroi mbështetjen për Ukrainën si prioritet për kryesimin e saj të OSBE-së në vitin 2023.

Maqedonia e Veriut mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, duke dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Maqedonia e Veriut ka ofruar ndihmë humanitare dhe ushtarake dhe është plotësisht në përputhje me paketën e masave kufizuese të BE-së kundër Rusisë. Maqedonia e Veriut dhe Ukraina kanë marrëveshje për tregtinë, mbrojtjen e investimeve, kulturën, arsimin, turizmin, transportin dhe bashkëpunimin ushtarak. Një regjim pa viza ka qenë në fuqi për qëndrime të shkurtra që nga viti 2019”, thotë Raporti.

Në Raportin e Progresit të KE-së për këtë vit, Maqedonia e Veriut lavdërohet se që nga janar i vitit 2023, kur vendi mori pozicionin e kryesuesit të OSBE-së, “ka promovuar në mënyrë aktive standardet dhe vlerat evropiane dhe ka kërkuar përballje me kërcënimet që dalin nga lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës”. Ndryshe, Raporti ka kritikuar mungesën e reformave në gjyqësor, polarizimin e Parlamentit dhe mungesën e reformave zgjedhore.

Brukseli ka bërë thirrje që partitë politike të kapërcejnë dallimet dhe të miratojnë ndryshimet kushtetuese në përputhje me Propozimin Francez, i cili nënkupton përfshirjen e bullgarëve etnikë në Kushtetutë, si parakusht për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE. /The Geopost

(Kosova Sot Online )