Berisha: Nga sot nisim marshin e fitores

  • A.P /
  • 12 November 2023 - 13:15
Berisha: Nga sot nisim marshin e fitores

Sali Berisha mbrëmjen e sotme ka zhvilluar një bashkëbisedim me anëtarët dhe simpatizantët demokratë në Durrës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka deklaruar se nga Durrësi po nisin aksionin e fitores.

Berisha: Nisim sot, aksionin me të cilin ne do të kundërshtojmë, me të cilin ne do mbjellim shpresën, me të cilin ne do krijojmë ortekun e madh të përmbysjes së regjimit më të shëmtuar në historinë e kohërave pas regjimit të Enver Hoxhës, regjimit të pasardhësve të xhelatëve të diktaturës, e të keqes të të gjithë të këqijave që përjetojnë sot shqiptarët, Edi Rama.

Duke e quajtur kryeministrin Edi Rama “armik”, Berisha e akuzon se po përpiqet të shkatërrojë bindjet politike të qytetarëve demokratë.

Berisha: Përpiqet me çdo kusht të shkatërrojë fibrën tuaj politike, bindjet tuaja politike, të vrasë shpresën te ju, te familjet tuaja. Përballemi me një armik që njësoj si nazistët në kampet e përqendrimit, do t’ua ndërrojë emrin ju. Nazistët u vinin numra hebrenjve, kurse ai do t’u thotë ju që nuk jeni më demokratë, por jeni ata që them unë, do mbani atë emër që dua unë.

“Sot, ose do pranojmë se jemi qytetarë të dorës së dytë, ose do pranojmë të shesim idealet, ose do pranojmë të shesim integritetin dhe dinjitetin tonë, ose do ngrihemi”, tha Berisha ndër të tjera.

(Kosova Sot Online)