E zbulon ministrja serbe: Tema e dialogut s’është njohja e Kosovës

  • A.P /
  • 14 November 2023 - 20:13
E zbulon ministrja serbe: Tema e dialogut s’është njohja e Kosovës

Ministrja e Integrimeve Evropiane të Serbisë, Tanja Misçeviç, beson se kërkesa e Bashkimit Evropian për njohjen e pavarësisë së Kosovës në formën de facto, është jo e duhur.

BE-ja po e “qorton” Beogradin për dështimin e tij për të sanksionuar Rusinë dhe mungesën e përparimit në përpjekjet për të zbutur tensionet me Kosovën – dy çështje që po bllokojnë rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Serbisë që të njohë Kosovën de facto, sipas Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, megjithatë ky apel sipas ministres serbe, është i ekzagjeruar duke pasur parasysh se pesë vendet e BE-së – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – nuk e njohin vetë Kosovën.

Njohja nuk është tema e procesit të normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Nëse çështja do të ishte njohja, atëherë normalizimi nuk do të ndodhte fare”, ka thënë ajo për mediumin prestigjioz amerikan, Politico.

Duke folur për kërkesën e BE-së për të sanksionuar Rusinë, pas agresionit në Ukrainë, Misçeviç thekson se nëse një gjë e tillë ndodhë atëherë Serbia humbet shumë në aspektin ekonomikë, meqë ajo mbështetet në Moskë për pothuajse 90 për qind të furnizimeve të saj me gaz.

Sipas saj qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë “nuk është ideologjik”.

(Kosova Sot Online)