Baerbock: Ndërkombëtarët duhet të marrin përgjegjësi

  • A.P /
  • 20 November 2023 - 20:20
Baerbock: Ndërkombëtarët duhet të marrin përgjegjësi

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock komenton të ardhmen e mundshme të Gazës. Dhe i quan shqetësuese opinionet se Gjermania është e njëanshme në anën e Izraelit.

Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock (Aleanca 90/Të Gjelbërit) është shprehur për përgjegjësi ndërkombëtare për Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës aktuale midis Hamasit terrorist dhe Izraelit. Në një intervistë për DW-TV, ministrja e Jashtme iu përgjigj pyetjeve të moderatorit Jaafar Abdul Karim në Berlin.

Nuk do të ketë zgjidhje të lehta për këtë konflikt jashtëzakonisht të vështirë, tha politikanja e Partisë së Gjelbër, por shtoi: "Për të garantuar sigurinë, nevojitet përgjegjësi ndërkombëtare. "Ne e dimë këtë nga përvoja me luftërat e tmerrshme në Ballkanin Perëndimor në Evropë. Edhe aty Bashkësia Ndërkombëtare mori përgjegjësi mbrojtëse. Sepse në këtë situatë, ku kanë ndodhur krimet më të rënda, aktorët në rajon thjesht nuk kanë më besim te njëri-tjetri. Unë e shoh këtë edhe atje." Në takimin e ministrave të jashtëm të G7 në Tokio, dy javë më parë, Baerbock, e mbështetur nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nuk duhet të ketë sërish një pushtim të Rripit të Gazës nga Izraeli. Deri në vitin 2005, Izraeli e mbante të pushtuar Rripin e Gazës.

"Askush këtu në Berlin nuk mund ta imagjinojë se si është atje."

Që nga sulmi terrorist i Hamasit në Izrael më 7 tetor, Baerbock e ka vizituar disa herë rajonin e Lindjes së Mesme, ajo ka shkuar në Izrael, në territoret palestineze dhe në shtetet fqinje arabe si Jordania dhe Egjipti. Në intervistë për DW, ajo përshkroi ndjenjat e saj për dhunën në rritje: "Askush këtu në Berlinin e qetë dhe të sigurt nuk mund ta imagjinojë me të vërtetë se çfarë do të thotë kjo për banorët vendas. Kam takuar babanë dhe bashkëshortin e një prej familjeve të pengjeve, me pasaporta gjermane, të cilët përshkruanin se si u rrëmbyen gruaja dhe dy vajzat e tij të vogla. Vështirë të durosh kur imagjinon se këta mund të ishin fëmijët tuaj. Por pata të njëjtën ndjenjë kur isha në Ramallah. Dhe folëm me një burrë, të cilit i ishin vrarë gruaja dhe djali i vetëm në Gaza”.

(Kosova Sot Online)