Gërvalla për Gani Jakupin: 7500 euro s’i merr si pagë, më vjen keq që përballet me një fushatë të tillë

  • E.K /
  • 24 November 2023 - 10:24
Gërvalla për Gani Jakupin: 7500 euro s’i merr si pagë, më vjen keq që përballet me një fushatë të tillë

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë raportimit në Komision sot është pyetur rreth raportimeve se Gani Jakupi, këshilltar i jashtëm për ambasadën në Belgjikë, merr pagë prej 7500 eurove nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kjo e fundit e pyeti ministren nëse këto raportime janë të sakta.

Gërvalla tha se është një fushatë kundër Jakupit dhe tha se kjo s’është fer meqë ai është angazhuar për t’i shërbyer Kosovës.

Tutje, Gërvallla tha se i vjen keq që Gani Jakupi përballet me një fushatë të tillë, siç thotë ajo "sepse nuk e meriton aspak".

“Dhe të gjithë ata që mundohen të denigrojnë personalitetin e një njeriu të shquar si në rastin e Gani Jakupit, të gjithë ata persona bëjnë sikur nuk kuptojnë që kjo punë s’ka të bëjë me pagë. Ky është një projekt i lidhur me objektiva të qarta, të përcaktuara saktë, i cili shërben Republikës së Kosovës dhe vendosjes së saj nëpër vende jonjohëse kryesisht. Jam shumë krenare, shumë krenare, që me këtë shumë modeste, që nuk është pagë mujore, e cila është shumë që përfshinë shpenzimet e një projekti të tërë njëvjeçar dhe e cila është një shumë që është shumë modeste krahasuar me gjithë dokumentacionin që unë kam parë për Afrikë dhe shtete të tjera. I kam parë me kujdes, tjetër që janë kontrata konfidenciale të së kaluarës, të cilat nuk i ka deklasifikuar ende institucioni përkatës”, tha Gërvalla.

“Në vend që të hidhet baltë mbi personalitete të shquara të jetës publike, mbi artistë të jashtëzakonshëm, mbi njerëz të cilët me shumë minimale të asaj sa shpenzohet janë të gatshëm të angazhohen për Kosovën në fusha që ne kemi hasur në vazhdimësi në sfida. Në vend që të hidhet baltë mbi ta do të duhet të falënderoheshin dhe t’i motivoheshin edhe të tjerët. Ai është një instrument legjitim i bazuar në ligj e buxhet dhe i planifikuar me kohë. Prandaj, nuk ka asnjë dilemë, mister asgjë rreth kontratës që është lidhur përmes misionit”.

“Më vjen shumë keq që zoti Gani Jakupi përballet me një fushatë të tillë sepse nuk e meriton aspak. Unë jam shumë mirënjohëse atij dhe shumë të tjerëve si ai që angazhohen për t’i ndihmuar Kosovës”, tha Gërvalla.

(Kosova Sot Online)