Zbulohen fakte të reja: Ja si e kishte ndihmuar Behxhet Pacolli të pandehurin Naim Murseli që të fuqizohej si biznesmen

  • A.P /
  • 03 December 2023 - 14:15
Zbulohen fakte të reja: Ja si e kishte ndihmuar Behxhet Pacolli të pandehurin Naim Murseli që të fuqizohej si biznesmen

Të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokollën do të mbahen në paraburgim për një muaj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Faktet e publikuara në media flasin se Naim Murseli, ka qenë ndër personat më të afërt të Behgjet Pacollit në politikë. Megjithatë, ai rezulton të jetë fuqizuar në botën e biznesit nga ‘Baci’.

Platforma ‘Kërko.com’, figuron të jetë në pronësi të Naim Murselit dhe Valon Llukës (biznesmen i afërt me Behgjet Pacollin).

Platforma gjeti mbështetje të fortë financiare, nga Pacolli.

“Unë e kam promovuar prej kohësh rëndësinë e mbështetjes së të rinjve të Kosovës, krijimtaria e tyre është e paçmuar dhe diçka nga e cila vendi do të përfitojë në të ardhmen. Prandaj, kam kënaqësinë të prezantoj Kerko.com, të cilin zgjodha ta mbështes në fazën e hershme, dhe në të cilën besova dhe sot është realitet. Një platformë që bashkon të gjitha kompanitë e pronarët e Kosovës në një faqe. Gjetja e numrit të telefonit, adresës dhe orarit të punës së një biznesi nuk ka qenë asnjëherë më e lehtë se sot. Suksese stafit të platformës Kerko.com”, shkruante Pacolli në korrik të këtij viti.

Për ndihmën financiare që ia kishte dhënë Pacolli, Murseli shprehte fjalë nga zemra.

Se e kishte ndihmuar të fuqizohej si biznesmen në Kosovë Pacolli e kishte konfirmuar edhe dje në një reagim të tijin në ‘Facebook’.

“Naim Murselin e njoh prej vitesh, duke filluar nga momenti kur ai m’u ofrua si adoleshent, pas një sëmundje qe kishte perjetuar. Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019”, deklaroi dje Pacolli.

Biznesi i Murselit figuron të jetë aktiv që nga 28 prilli i këtij viti. Sipas përshkrimit që iu është bërë në uebfaqe, kjo platformë prezantohet si “platforma më e mirë për të gjetur informacione të dobishme dhe të sakta për bizneset në Kosovë”.

Në një kërkim në këtë uebfaqe, tek pjesa e hoteleve i pari që prezantohet është ‘Swiss Diamond Hotel’, ku sipërmarrës i saj është vetë Pacolli.

Derisa Valon Lluka, ‘krahu i fortë’ i Pacollit që e mbështeti Naim Murselin  ka të hapura disa fabrika bashkë me Pacollin. Babai i tij, Masar Lluka, ishte pjesë e strukturave të AKR-së në Gjakovë.

Llukës iu kishte besuar edhe përfaqësia e konsorciumit të kompanive ‘Mabco Construction’ (pronësi e Pacollit) në partneritet me kompaninë turke ‘Yda Group’ për Aeroportin e Vlorës. Kompania turke shiti aksionet e veta, e më pas kaloi tërësisht në pronësi të Pacollit.

Përfaqësuesi i kompanisë koncesionare, Valon Lluka, kishte deklaruar se firma turke u largua nga projekti pasi nuk iu përgjigj investimit të premtuar.

Lluka është kryeshef i ‘Mabetex Group’, kryetar i bordit të kompanisë së sigurimeve ‘Siguria’, të gjitha këto nën pronësin e Pacollit.

Valon Lluka është vëllai i dikur ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukës.

 

(Kosova Sot Online)