Hovenier për zgjedhjet e Serbisë: Kosova ka të drejtë të përcaktojë kushtet me të cilat mbahen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj

  • E.K /
  • 06 December 2023 - 11:57
Hovenier për zgjedhjet e Serbisë: Kosova ka të drejtë të përcaktojë kushtet me të cilat mbahen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj

Ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ai është shprehur i zhgënjyer që Qeveria e Kosovës nuk e ka vazhduar praktikën për lejimin e OSBE’së që të mbledhë fletëvotimet e votuesve serbë me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë.

”Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar që kur kjo çështje u ngrit për herë të parë në vitin 2022. Ne vazhdojmë të shprehim zhgënjimin tonë që Qeveria e Kosovës zgjodhi të mos vazhdojë praktikën e kahershme të lejimit të OSBE-së që të mbledhë fletëvotimet e votuesve serbë me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë”, tha ai.

”SHBA-ja beson fuqishëm se votuesit me të drejtë vote në të gjitha vendet duhet të jenë plotësisht në gjendje të marrin pjesë në proceset demokratike”.

Ai ka thënë se Kosova ka të drejtë të përcaktojë kushtet nën të cilat mbahen zgjedhjet e shteteve tjera në territorin e saj.

”Pra, si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka të drejtë të përcaktojë kushtet me të cilat mbahen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”.

(Kosova Sot Online)