Nga sulmi në Pragë raportohet për së paku 11 persona të vrarë

  • A.P /
  • 21 December 2023 - 17:15
Nga sulmi në Pragë raportohet për së paku 11 persona të vrarë

Policia çeke thotë se disa persona janë vrarë dhe “dhjetëra” janë plagosur nga të shtënat në një universitet në Pragë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Policia tha se personi i armatosur ishte “eliminuar” pas sulmit në Universitetin Charles, në sheshin Jan Palach në qendër të qytetit.

Mediat çeke raportuan se të paktën 11 persona vdiqën në incident, duke përfshirë edhe personin e armatosur.

Stafit të universitetit iu tha të “qëndrojnë në vend”, të barrikadojnë veten në dhoma dhe të fikin dritat.

Targ Patience, një britaniko-australian i cili po qëndronte në një apartament afër vendit të ngjarjes, i tha BBC-së se kishte dëgjuar “shumë të shtëna armësh”.

“Unë e pashë nga ballkoni im dhe e pashë policinë të mbërrinte. Disa oficerë po e kishin të vështirë të ndalonin njerëzit që po shkonin drejt vendit të ngjarjes”, tha ai.

Kryeministri Petr Fiala tha se kishte anuluar angazhimet e ardhshme në dritën e “ngjarjeve tragjike”.

Një email drejtuar stafit në fakultetin e filozofisë të Universitetit Charles, i parë nga Reuters, paralajmëroi stafin për të shtënat.

 “Qëndroni, mos shkoni askund, nëse jeni në zyra, mbyllini ato dhe vendosni mobiljet para derës, fikni dritat”, shkroi në email.

Autoritetet thanë se i gjithë sheshi dhe disa rrugë përreth universitetit ishin të mbyllura.

Universiteti Charles ndodhet në qytetin e vjetër të Pragës, rreth 500 metra nga ura historike “Charles Bridge”, një pikë turistike.

(Kosova Sot Online)