Studentët serbë bllokojnë rrugët e Beogradit

  • A.P /
  • 25 December 2023 - 17:00
Studentët serbë bllokojnë rrugët e Beogradit

Grupe studentësh drejtuan një protestë të hënën në Beograd, pas një nate të tensionuar ku qindra demonstrues u përpoqën të hynin në kuvendin e kryeqytetit dhe u përleshën me forcat e rendit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Policia serbe tha të hënën se janë arrestuar të paktën 38 persona që morën pjesë në protestën e së dielës kundër parregullsive gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit, në të cilat sipas rezultateve paraprake fituese doli Partia Përparimtare serbe e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuiçiç.

Grupi opozitar ‘Serbia kundër dhunës’ ka organizuar protesta që nga dita e zgjedhjeve duke thënë se ka pasur mashtrime zgjedhore, veçanërisht në kryeqytet dhe kjo është pohuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Disa nga politikanët e opozitës filluan një grevë urie.

Të dielën në mbrëmje, qindra protestues u përpoqën të hynin në kuvendin e bashkisë së Beogradit, duke thyer dritaret para se policia të ndërhynte me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për t’i shpërndarë.

Zyrtari i lartë i policisë Ivica Ivkoviç u tha gazetarëve se të arrestuarit po përballen me akuza për nxitje të ndryshimit të dhunshëm të rendit kushtetues, në lidhje me përpjekjen për të përmbysur qeverinë dhe për sjellje të dhunshme. Ai shtoi se tetë oficerë të policisë u plagosën, një prej të cilëve është në gjendje të rëndë.

Opozita tha se policia rrahu disa mbështetës të saj.

Të hënën grupe studentësh bllokuan disa rrugë në Beograd duke kërkuar që autoritetet të hapin listat e votuesve, pas pretendimeve se shumë njerëz që nuk jetojnë në Beograd kanë votuar atje. Studentët paralajmëruan bllokim të mëtejmë rrugësh nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Autoritetet i kanë mohuar pretendimet për parregullsi.

President serb Aleksandar Vuçiç, i cili të hënën u takua me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, i përshkroi protestat e së dielës si një përpjekje për rrëzimin e qeverisë me ndihmë nga jashtë, por pa dhënë asnjë provë për pretendimet e tilla.

 ‘Isha në ballkonin e presidencës mbrëmë. Aty është zyra ime. Unë nuk u frikësova aspak nga. Nuk kam ikur në asnjë vend të huaj. Nuk u fsheha në asnjë nga bunkerët. Unë kurrë nuk do të fshihem nga njerëzit e dhunshëm. Do të jem gjithmonë pranë popullit tonë, do ta mbrojmë dhe ruajmë demokracinë. Ne do të mbrojmë dhe ruajmë paqen dhe qëndrueshmërinë në Serbinë tonë’, tha presidenti serb.

Ambasadori rus u tha medieve të vendit të tij se presidenti Vuçiç ka ‘prova të pakundërshtueshme’ se perëndimi po inkurajon protestat e opozitës.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç falënderoi të hënën Rusinë që siç tha, e kishte informuar që më parë Serbinë për mundësinë e një kryengritjeje.

Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Moskën dhe ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

(Kosova Sot Online)