A ia prish festën Albin Kurti - Dimal Bashës?

  • A.P /
  • 05 January 2024 - 16:29
A ia prish festën Albin Kurti - Dimal Bashës?

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ishte munduar që ta përkthej në festë dhe sukses të kryeministrit Albin Kurti faktin që Serbia kishte pranuar që nga 1 janari 2024 të lejojë qarkullimin e veturave me RKS nëpër territorin e saj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Basha kishe shkruar se si dikur shoferët e Kosovës detyroheshin të fshihnin simbolet shtetërore në tabela kur kalonin në Serbi dhe si shoferët me targa serbe lëviznin lirshëm nëpër Kosovë, ndërkohë që nga 1 janari 2024 po ndodh e kundërta, ku shoferët nga Serbia vendosin stikersa, derisa kosovarët qarkullojnë me RKS nëpër Serbi.

Megjithatë këtë festë të deputetit Basha e ka prishur sot kryeministri Albin Kurti, i cili ka njoftuar se Kosova ka marrë vendim që të lejojë edhe veturat me tabela të Serbisë që të qarkullojnë lirshëm nëpër Kosovë si shenj reciprociteti.

“Në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, mbajtur më 27 dhjetor, pata kërkuar raportim lidhur me zbatimin e vendimit nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa RKS në territorin e Serbisë nga data 1 janar 2024. Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa. Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë. Ky vendim i yni nis të zbatohet me t’u publikuar në Gazetën Zyrtare”, ka njoftuar sot Kurti.

(Kosova Sot Online)