Krasniqi thotë se s’ka ndryshuar qëndrimi për Asociacionin: Kosovës s’i duhen instrumente njëetnike

  • S.A /
  • 10 January 2024 - 12:08
Krasniqi thotë se s’ka ndryshuar qëndrimi për Asociacionin: Kosovës s’i duhen instrumente njëetnike

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se Kosova nuk ka nevojë për “instrumente njëetnike”, pasi u pyet nëse vendimi i Serbisë për njohjen e targave RKS erdhi pas një gatishmërie të shprehur nga Kosova për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, transmeton "Kosova Sot Online".

Krasniqi tha se “”qëndrimi për Asociacionin tashmë është i njohur”. “Tash këtë e them edhe si përfaqësues politik i një komuniteti që jeton në Kosovë, që Kosovës nuk i duhen instrumente të cilat janë njëetnike dhe të cilat janë, të them ashtu, instrumente shtesë për shantazhimin e institucioneve”, tha ai.

“Neve na duhen instrumente të cilat janë gjithëpërfshirëse, në frymën e Republikës së Kosovës”, shtoi Krasniqi.

Ai tha se opozita “kritikon vend e pavend”, ndërsa tha se është lajm i mirë që veturat me targa të Kosovës tashmë qarkullojnë lirshëm nëpër Serbi.

“Sidoqoftë, vendimi i Serbisë për këtë, ka qenë përpjekje e saj për të ulë presionin ndërkombëtar për situatën e zgjedhjeve dhe parregullsive në zgjedhjet e fundit në Serbi”, tha ministri.

(Kosova Sot Online )