Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet që ka pasur me krerët shtetërorë

  • A.P /
  • 30 January 2024 - 20:40
Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet që ka pasur me krerët shtetërorë

Sot në zyrën e tij, bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Kryeministri i Repulikës së Kosovës, Albin Kurti priti krerë politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut: Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i Komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes BESA e i Komunës së Tetovës, Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, dhe Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës, po ashtu deputet.

Sipas Zyrës së Kurtit, atu u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjatë bisedës, katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut, i cili sipas tyre, “mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”.

Në njoftimin e ZKM-së bëhet e ditur se në takim mori pjesë edhe këshilltari i kryeministrit, Bekim Qoku.

“Kryeministri Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje”, thuhet në njoftim.

Njoftimi thekson se “temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet”.