Policia suedeze parandaloi një sulm ndaj ambasadës izraelite në Stokholm

  • A.P /
  • 01 February 2024 - 21:39
Policia suedeze parandaloi një sulm ndaj ambasadës izraelite në Stokholm

Policia suedeze parandaloi një sulm ndaj ambasadës izraelite në Stokholm, njoftoi televizioni suedez STV, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas njoftimit, para ambasadës u zbulua një “objekt i rrezikshëm”, i cili u shkatërrua nga skuadra e policisë për bomba dhe nuk ka pasur të lënduar.

Zëvendëskryeministrja e Suedisë, Eba Bush, tha se ishte e tronditur nga informacioni për sulmin në ambasadën izraelite.

 “Urrejtja ndaj Izraelit është e tmerrshme. Ekstremizmi i dhunshëm duhet të ndalet. I jam mirënjohës policisë sonë për ndërhyrjen e saj të shpejtë”, tha Bush.

Ambasadori i Izraelit në Suedi, Ziv Nevo Kuhlman, tha pas incidentit se Izraeli nuk do të frikësohet nga terrori.

“Sot u ekspozuam ndaj një tentative sulmi ndaj ambasadës izraelite në Stokholm dhe punonjësve të saj. Falënderojmë autoritetet suedeze për reagimin e tyre të shpejtë”, tha Kuhlman.

Një zëdhënës i policisë suedeze i tha Politiko se tani po punojnë për mbledhjen e informacionit dhe të dhënave për atë që ndodhi sot në atë zonë.

“Ne jemi duke kryer një hetim mjeko-ligjor, duke parë pamjet e kamerave të sigurisë që mund të kenë kapur diçka dhe duke kërkuar zonën”. Në të njëjtën kohë po hetojmë nëse ka dëshmitarë që mund të ndihmojnë në hetim”, tha ai.

(Kosova Sot Online)