Vuçiq kërkon seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thotë se do t’i ankohet BE-së, Kinës e Rusisë për Kosovën

  • E.K /
  • 02 February 2024 - 14:20
Vuçiq kërkon seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thotë se do t’i ankohet BE-së, Kinës e Rusisë për Kosovën

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq gjatë një konference të jashtëzakonshme sot ka thënë se të hënën Serbia do të kërkojë mbajtjen e një seance urgjente dhe të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën dhe tha se do t’i shkruaj letra BE-së, Kinës dhe Rusisë në të cilat do t’i informojë për situatën në Kosovë.

“Unë personalisht e kam shkruar dhe po e nënshkruaj dhe të hënën do ta marrin të gjithë përfaqësuesit e anëtarëve të BE-së, do ta marrin përfaqësuesit e institucioneve, por do ta marrin përfaqësuesit e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë Kinën dhe Rusinë. Është letra më e trishtë dhe më e vështirë që kam nënshkruar që kur isha në krye të Serbisë”.

Ky njoftim vjen pas aksionit të Policisë së Kosovës në komunën e Pejës, Istogut e Klinës në komunat paralele serbe që funksionojnë atje.

“Sot, pjesëtarë të policisë bastisën ambientet e Autoriteteve të Përkohshme dhe Qendrën Shëndetësore në disa aksione të sinkronizuara. Ata sulmojnë dhe i ngacmojnë njerëzit”.

(Kosova Sot Online)