Kurti flet për regjistrimin e popullsisë

  • A.P /
  • 14 February 2024 - 20:30
Kurti flet për regjistrimin e popullsisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në takimin dhe tryezën e diskutimit me titull “Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2024” të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në fjalën e tij ai tha se ky regjistrim është më shumë se numërim; “është angazhimi ynë për të adresuar nevojat e qytetarëve pa dallim dhe baza për vendime të cilët do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës”.

"Regjistrimi siguron të dhëna të sakta dhe të plota demografike, socio-ekonomike dhe gjeografike, të cilat janë thelbësore për vendimmarrjen e informuar në çdo nivel. Këto statistika ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve për të mirën e qytetarëve, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien në demokraci. Ato gjithashtu ndihmojnë në alokim më efikas të burimeve për shërbime që i ofron sektori publik”, u shpreh kryeministri.

Sipas Zyrës së Kurtit, ai e rikonfirmoi angazhimin e Qeverisë ndaj procesit të Regjistrimit të Popullsisë, që është thelbësor për një vendimmarrje të informuar, për nxitjen e drejtësisë sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

(Kosova Sot Online)