A mund të njihet Kosova nga dy shtetet që luftojnë për Nagorno-Karabakhun?

  • A.P /
  • 20 February 2024 - 15:07
A mund të njihet Kosova nga dy shtetet që luftojnë për Nagorno-Karabakhun?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e takoi të premtën në Mynih të Gjermanisë kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan. Ishte takimi i parë bilateral. Takimi i parë ndërmjet një kryeministri kosovar dhe një kryeministri armen. Dy ditë më pas, armeni pati një takim edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Armenia, vendi që e përjetoi një disfatë nga Azerbajxhani vitin e kaluar në luftimet për rajonin e Nagorno-Karabakhut, nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, ashtu sikurse “armiku” i saj.

Kosova dëshiron ta marrë njohjen prej të dy vendeve. Eksperti i sigurisë, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Ilir Kulla tha  se megjithëse këto tendenca janë të mirëpritura, duhet pasur parasysh “disa rrethana në kontekstin gjeopolitik”.

Azerbajxhani e ktheu kontrollin mbi rajonin e Nagorno-Karabakhut vitin e kaluar pas disa luftimeve. “Pak a shumë si Kosova veriun e saj”, thotë Kulla. Kryeqendra e këtij rajoni në Kaukazin e Jugut ra nën kontrollin e azerëve pasi forcat e sigurisë së këtij shteti mposhtën luftëtarët armenë, gjë që rezultoi me ikjen e 120,000 armenëve në Armeni. Enklava me etni armene njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

“Takimet bilaterale me cilindo shtet që mund të ketë tendenca të njohjes së shtetit të Kosoves janë të mirëpritura, qoftë edhe ky në rastin e Armenisë. Sigurisht kur flitet për Armeninë duhet te kemi parasysh disa rrethana në kontekstin gjeopolitik. Në atë rajon Armenia është aleat i qartë dhe historik i Rusisë dhe i Iranit. Madje Nagorno-Kharabakh ka qenë dhe pika e lidhjes tokësore mes dy fuqive aziatike. Zhvillimet dramatike të 33 viteve më parë kur Armenia aneksoi me forcën e armëve sovjetike Kharabakhun duke kryer një masakër mbi azerët u zhbënë në 2020 dhe 2023 dhe Azerbajxhani rimori territorin shtetëror që i takon. Pak a shumë si Kosova veriun e saj. Natyrisht që mbështetësit e Kishës Armene e kanë sulmuar Azerbajaxhanin diolomatikisht me në krye Francën dhe Vatikanin në Europë, por kjo nuk i ndryshon gjërat”, tha Kulla.

A mund ta njohë Azerbajxhani pavarësinë e Kosovës pasi e kthey Nagorno-Karabakhun nën kontroll? Kulla thotë se “gjërat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë në këtë drejtim”. Ai tha se presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka kërkuar presidentit azer, Ilham Aliyev zyrtarisht njohjen e Kosovës, ashtu si edhe paraardhësi i tij, Ilir Meta më parë.

“Unë mund t’ju dëshmoj se Presidenti i Shqiperisë, Bajram Begaj ia ka kërkuar zyrtarisht Presidnetit Alyiev njohjen e Kosovës. Gjithashtu edhe Presidenti Meta në kohën e tij”, tha Kulla.

Ai këtu përmend edhe influencën e Turqisë, e cila më 2020 i ndihmoi Azerbajxhanit t’i rikthejë territoret e humbura në Karabakh në luftën e zhvilluar me Armeninë më 1990.

“Gjërat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë në këtë drejtim edhe me influencën e Turqise, por kemi ende rrugë. Ajo që duhet thënë është se Azerbajxhani është një partner shumë i fortë tregetar në rajonin tonë dhe i Perëndimit, është ashtu një aktor shumë i rëndësishëm strategjik për shkak të gazit dhe energjisë dhe hapat diplomatikë ne atë rajon me palët duhet të jenë shumë të kujdesshëm”, thotë Kulla.

Çka tha ZKM për takimin e kryeministrit të Kosovës me kryeministrin e Armenisë?

Duke njoftuar për takimin e parë bilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Armenisë, Nikol Pashinyan, Zyra e Kryeministrit tregoi se Kurti fillimisht “shprehu mirënjohjen ndaj qëndrtimit të Armenisë në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në Këshillin e Evropës”.

“Kryeministri armen theksoi rëndësinë dhe simbolikën e këtij takimi të parë mes dy kryeministrave, shprehu interesim për bashkëpunim ekonomik dhe për mundësitë që ofron Kosova në investime. Në këtë drejtim, mes tjerash, Kryeministri Kurti veçoi sektorin e energjisë”, u tha në njoftimin e ZKM-së.

Sipas ZKM-së, në këtë takim, “interesim dhe gatishmëri të dyanshme kishte edhe për bashkëpunim në fushën e kulturës, filmit, turizmit dhe edukimit”.

Si u raportua ky takim në faqen e kryeministrit të Armenisë?

Në njoftimin për media në faqen e kryeministrit të Armenisë, Nikol Pashinyan u tha se “palët shkëmbyen ide mbi situatën aktuale dhe proceset në vazhdim në rajonin e Kaukazit Jugor dhe Ballkanin, sigurinë dhe stabilitetin”.

Në atë njoftim thuhet edhe se Kurti ka shprehur “mbështetjen e tij për popullin armen në kontekstin e zhvillimeve të viteve të fundit, duke theksuar se të dy kombet historikisht kanë kaluar një periudhë të vështirë”.

Po ashtu u tha se në takim u diskutua për bashkëpunimin ndërsektorial, si dhe perspektivat e bashkëpunimit në platformat ndërkombëtare.


(Kosova Sot Online)