Bislimi: Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke

  • E.K /
  • 27 February 2024 - 10:47
Bislimi: Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka thënë se ndonëse janë bërë një vit nga Marrëveshja e Brukselit Serbia ende refuzon ta nënshkruajë atë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Bislimi ka shkruar se përgjatë kësaj periudhe një vjeçare janë përballur me shkeljet e Serbisë.

Bislimi tha se pesë herë është ofruar nënshkrimi i marrëveshjes, derisa shtoi se Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Ankesit Implementues.

Zëvendësi i Kurtit tha se pas dakordimit në Bruksel dhe Ohër, Serbia shantazhoi dhe kërcënoi serbët e Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit, sulmuan institucionet e Kosovës, KFOR’in dhe gazetarët, rrëmbyen policët dhe sulmuan më 24 shtator në Banjskë.

Bislimi tutje ka shkruar se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke.

“Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i saj Implementues, duhet të zbatohen sa më parë. Rajoni ka nevojë për zhvillim e prosperitet, harmoni e marrëdhënie të mira fqinjësore mes të gjitha shteteve të rajonit”, ka shkruar Bislimi.

(Kosova Sot Online)