Arrestohet zyrtari i komunës së Mamushës, regjistroi 6 persona jashtëligjshëm në sistemin e gjendjes civile

  • E.K /
  • 05 March 2024 - 14:21
Arrestohet zyrtari i komunës së Mamushës, regjistroi 6 persona jashtëligjshëm në sistemin e gjendjes civile

Policia e Kosovës ka arrestuar një person pasi dyshohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, përcjell “Kosova Sot Online”

I arrestuari është zyrtar i gjendjes civile në Mamushë dhe dyshohet se gjatë vitit 2023 ka regjistruar në sistemin e gjendjes civile gjashtë persona në kundërshtim me ligjin.

“Hetuesit policorë e kanë trajtuar informatën në koordinim me organet e drejtësisë. Me autorizim dhe udhëzime nga prokurori i çështjes, janë siguruar dëshmi relevante. Kështu, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari-zyrtar i gjendjes civile në Mamushë, gjatë vitit 2023 ka regjistruar në sistemin e gjendjes civile gjashtë persona në kundërshtim me ligjin.

Veprimet e të dyshuarit, kanë bërë që pa qenë fare personat në Kosovë dhe pa pasur të drejtë ligjore për ta fituar shtetësinë kosovare, fillimisht i ka regjistruar e me pas ju ka mundësuar fitimin e shtetësisë. Ndërsa vetëm për një person është gjetur dosja, të cilin e ka regjistruar me datë 05.05.2023, ndërsa për personat tjerë dosjet e tyre nuk ekzistojnë fare.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, ndërsa ka shfrytëzuar mundësinë ligjore dhe në këtë faze është mbrojte në heshtje. Pas konsultës me prokurorin, me Aktvendim mbi ndalimin, i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.”

(Kosova Sot Online)