Në këtë vend pacientët në pritje të ilaçeve jetike

  • A.P /
  • 07 March 2024 - 20:15
Në këtë vend pacientët në pritje të ilaçeve jetike

Për pacientët në mbarë botën vazhdojnë mungesat në furnizimin me ilaçe, edhe pasi rifilloi të funksionojë siç duhet zinxhiri i furnizimit pas dëmit të pësuar nga pandemia COVID-19. Senati amerikan po kërkon një zgjidhje, ndërkohë që një organizatë jofitimprurëse ofron ndihmën e saj për të gjetur ilaçet që mungojnë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti na sjell historinë e një gruaje që vështirësohet të gjejë ilaçet që i nevojiten.

Toni Dezomits po shijon një moment të rrallë qetësie. Ajo përgjithësisht bën shëtitje në pyje, vetëm pak muaj pas përpjekjeve për t’i mbijetuar një vale të dytë kanceri në vezore. Por zonja Dezomits ka luftuar edhe në beteja të një tjetër lloji.

Ajo ka qenë shefe policie në qytetin Cary, të Karolinës së Veriut, si dhe ushtarake në operacionin e ndërhyrjes në Irak, “Desert Storm”.

“Njësia ime ishte batalioni special 528”, thotë zonja Dezomits.

Tashmë, vendi për të cilin ajo luftoi, nuk i jep dot doktoreshës së saj ilaçet që nevojiten për kurimin.

“Erdhi disi e trazuar dhe më tha se ‘kam lajme vërtet të këqija. Nesër nuk do ta kemi dot ilaçin karboplatinë’”, tregon zonja Dezomits për doktoreshën.

Zonja Dezomits nuk është e vetmja. Universiteti në Jutah zbuloi se mungesat e ilaçeve në Shtetet e Bashkuara arritën në nivel rekord vitin e kaluar, me 309 ilaçe që mezi gjenden.

Pjesa më e madhe e tyre janë ilaçe të përgjithshme, jo shumë të kushtueshme, si karboplatina.

(Kosova Sot Online)