Demokratët kërkojnë largimin e Netanyahu-t

  • A.P /
  • 14 March 2024 - 19:50
Demokratët kërkojnë largimin e Netanyahu-t

Kreu i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer, bëri thirrje për zgjedhje të reja në Izrael, duke kërkuar largimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjatë një fjalimi, Schumer, që vetë është hebre, tha se zoti Netanyahu e ka humbur rrugën dhe mendon vetëm për mbijetesën e tij politike.

Reagimi i tij vjen në kohën kur të paktën 30 mijë palestinezë thuhet se janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori.

“Si një demokraci, Izraeli ka të drejtën të zgjedhë liderët e tij, por gjëja më e rëndësishme është që izraelitëve t’u jepet një zgjedhje. Duhet të ketë një debat të ri për të ardhmen e vendit,” tha ai.

Por reagimi i tij u prit ashpër nga drejtuesi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.

Ai tha se fjalimi i Schumer ishte grotesk dhe i paprecedent.

McConnell tha se është ‘hipokrizi që amerikanë të ndërhyjnë në një demokraci dhe të bëjnë thirrje për largimin e një lideri të zgjedhur një mënyrë demokratike në Izrael’.

Edhe ambasadori i Izraelit në Uashington, Michael Herzog sulmoi komentet duke thënë se janë të padobishme dhe kundërproduktive. Sipas tij, nuk mund të komentohet skena e brendshme politike e një aleati demokratik.

(Kosova Sot Online)