Ekzekutohet në derë të shtëpisë ish-polici i burgjeve

  • A.P /
  • 15 March 2024 - 18:40
Ekzekutohet në derë të shtëpisë ish-polici i burgjeve

Gentian Bejtja, një nga emrat më të njohur për policinë në zonën e Fushë Krujës, është ekzekutuar në një atentat me armë zjarri pranë banesës së tij në fshatin Larushk, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Për ngjarjen ka reaguar me një njoftim të shkurtër policia e shtetit, duke bërë me dije se është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e prokurorisë që po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

“Më datë 15.03.2024, në fshatin Larushk, Krujë, nga persona ende të paidentifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi G. B.”, bën me dije policia.
Ky është atentati i katërt që i bëhet Bejtjas. Kujtojmë që më 4 korrik 2023, Bejtja i shpëtoi plumbave, por kunati i tij, vëllai i gruas. Ramazan Sino humbi jetën. Ndërsa dy fëmijët e Bejtjas, 13 dhe 8 vjeç mbetën të plagosur.

Në 9 janar të vitit 2022 Gentian Bejtja ish polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka i cili ndodhej me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti.

Një tjetër atentat iu bë në shtator të vitit 2016, me tritol. Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë.

I njohur si ish-mik i Durim Bamit, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, 42-vjeçari Gentjan Bejtja ka qenë i dyshuar për një seri ngjarjesh në zonën e Fushë-Krujës, por jo vetëm.

42 vjeçari, u përmend shumë si personi i cili dyshohet që së bashku me Enver Stafukën kishin vjedhur makinën me të cilën u krye vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt 24 shkurt 2013. Por me vendim gjykate Betja dhe Stafuka u shpallën të pafajshëm me 13 nëntor 2013, pasi u vlerësua se nuk kishte prova të mjaftueshme për dënimin e tyre për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim.
Gentian Bejtja është shoqëruar edhe për dy atentate, atë të vrasjes së Ilias Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, në prill të 2022-it dhe atentatit ndaj Marklen Hakës në qershor po të vitit të shkuar, por nuk u gjetën prova për ta fajësuar si autor të dyshuar.

(Kosova Sot Online)