Hovenier: NATO veproi pikërisht për shkak të ngjarjeve si ajo në Krushë të Madhe

  • E.K /
  • 26 March 2024 - 12:59
Hovenier: NATO veproi pikërisht për shkak të ngjarjeve si ajo në Krushë të Madhe

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kujtoi masakrën në Krushë të Madhe në Rahovec 25 vjet më parë, duke marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore, transmeton “Kosova Sot Online”.

Hovenier kujtoi se një ditë para se të ndodhte masakra që la rreth 250 viktima dhe rreth 60 të zhdukur që prej atëherë, NATO nisi fushatën bombarduese pikërisht për shkak të këtyre ngjarjeve.

“Kam nderin që jam këtu bashkë me juve përderisa përkujtojmë të gjithë ata që kanë humbur jetën në Krushë të Madhe 25 vjet më parë. Shumë prej më të dashurve tuaj janë ende të pagjetur”, nisi fjalën e tij ambasadori amerikan.

“Ne jemi mbledhur këtu për të qenë dëshmitar i asaj që ka ndodhur këtu”, tha ai.

“Vetëm një ditë pasi NATO-ja filloi fushatën e saj për t’i dhënë fund fushatës së tmerrshme të spastrimit etnik, forcat e Millosheviqit hynë në këtë fshat dhe vranë mbi 250 civilë të pafajshëm. NATO veproi pikërisht për shkak të veprimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu”, tha Hovenier.

“Si përfaqësues i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, dëshiroj të shpreh ngushëllime dhe solidaritetin tim për të gjithë të prekurit nga kjo ngjarje e tmerrshme, si dhe dëshiroj t’i falenderojë dhe të shpreh mirënjohje për të gjithë ata që kanë punuar për ta jetësuar muzeun dhe memorialin që po e jetësojmë sot, sepse ky muze është një kujtim i rëndësishëm për viktimat e masakrës. Kam marrë vesh se shumë prej jush keni avokuar që ta keni këtë muze gjatë 25 viteve të shkuara dhe është tamam e duhur që ky muze të jetë tamam një dëshmi fizike e ngjarjeve të tmerrshme që kanë ndodhur këtu dhe do të bëjë të mundshme të mos i harrojmë kurrë ato mizori”, tha Hovenier.

(Kosova Sot Online)