E zbulon Peci: Në skandalin me ‘Apetitin’ i përfshirë edhe një inspektor

  • A.P /
  • 02 April 2024 - 20:12
E zbulon Peci: Në skandalin me ‘Apetitin’ i përfshirë edhe një inspektor

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar në lidhje me raportimet për dyshimin e përfshirjes së një operatori ekonomik të prodhimit dhe tregtimit të mishit dhe mundësisë së përfshirjes së një inspektori të AUV-it në mashtrim e manipulim me dokumente zyrtare, transmeton "Kosova Sot Online".

Peci tha se inspektori është dërguar në komision disiplinor ndërsa ndaj operatorit ekonomik është vendosur masa e ndalesës për eksport-import.

“Për ta vërtetuar dyshimin e ngritur, është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin, gjurmueshmërinë dhe përputhshmërinë e të gjitha hyrje-daljeve të operatorit ekonomik”.

“Po ashtu janë informuar edhe autoritete tjera si Doganat e Kosovës dhe ATK të cilat do të gjurmojnë për pjesën e mandatit të tyre dhe në të njëjtën kohë do e mbështesim njëra-tjetrën, me të dhënat rreth të gjeturave që burojnë nga kontrollet e detajuara”, shkroi Peci.

Tutje, ai tha se në rast të konfirmimit të pretendimeve, të gjithë individët e përfshirë, bashkë me operatorin ekonomik do të përballen me pasoja ligjore dhe administrative.

(Kosova Sot Online)