“Ditë që shenjon shpresën dhe besimin”, politika shqiptare mesazhe urimi për Fitër Bajramin

  • E.K /
  • 10 April 2024 - 10:18
“Ditë që shenjon shpresën dhe besimin”, politika shqiptare mesazhe urimi për Fitër Bajramin

Presidenti Bajram Begaj uroi sot besimtarët myslimanë, në përfundim të Muajit të Shenjtë Ramazanit, për festën e Fitër Bajramit.

Në një mesazh që shpërndau në rrjetet sociale Presidenti Begaj, shpreh urimet që kjo festë t’i gjejë besimtarët myslimanë më afër Zotit, me gëzim, begati e devotshmëri për vepra të shtuara të mira.

“Bajram të bekuar për të gjithë myslimanët, ata që agjëruan dhe ata që nuk mundën, por që me lutje i janë afruar Zotit përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Uroj që ky Fitër Bajram t’ju gjejë me shpirt të pastër, me gëzim, begati e devotshmëri për vepra të shtuara të mira”, tha Begaj. Presidenti Begaj u shpreh se “kjo ditë shenjon shpresën dhe besimin se durimi, përpjekja dhe solidariteti njerëzor shpërblehen. Zoti ju bekoftë dhe ju udhëzoftë në rrugën e drejtë!”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke e cilësuar festën e madhe të shpresës dhe besimit, Basha tha se “mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, fuqia e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë”.

“Zoti ua pranoftë agjërimin e adhurimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin”, shkruan Basha në një postim në rrjetet sociale.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i uroi besimtarët myslimanë me rastin e fundit të muajit të shenjtë të agjërimit, duke cituar edhe pasazhe nga Kuranit dhe thënie nga Profeti Muhamed.

“Qëndro i vendosur kundër padrejtësive, edhe nëse kjo gjë rezulton kundër teje.” – Kuran. Me përmbylljen e Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, i bashkohem sonte urimit për agjërim dhe lutje të pranuara, për çdo besimtar mysliman!

Shëndeti, lumturia, mirësia, mbarësia dhe paqja e Zotit qofshin gjithmonë në familjet shqiptare! Le të mos harrojmë një nga mesazhet më të rëndësishme të betejës së Bedrit, se është vetëm ndjekja e rrugës së drejtë ajo që sjell fitoren e së mirës.

“Zoti i Plotfuqishëm ju jep fitore edhe grupeve më pak të pajisura dhe ju jep atyre ndihmën e drejtpërdrejtë. Zoti me ndihmën e vet e forcon kënd të dojë. Kjo, me të vërtetë, është këshillë për largpamësit.” Kuran.”

(Kosova Sot Online)