Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

  • S.A /
  • 15 April 2024 - 12:31
Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj sindikate kanë bërë të ditur se më 1 maj do të organizohet një protestë, kurse në rast së kërkohet nga anëtarësia, do të vazhdohet edhe më grevë të përgjithshme në sistemin arsimor, transmeton "Kosova Sot Online ".

Një protestë më datë 1 maj pritet të organizohet nga Sindikata e Arsimit si paralajmërim për Ministrinë e Arsimit, se mund të ndërmerren hapa të tjerë sindikalë nëse nuk ka gatishmëri për të biseduar, gjë të cilën e kanë kërkuar tash e sa kohë përfaqësuesit e  Sindikatës së Arsimit.

Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala, i tha Radio Kosovës se hapat e paralajmëruar janë detyruar t’i marrin pasi po mungon dialogu social ndërmjet SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit.

“Meqenëse po e shohim që nuk po vendoset dialogu social ndërmjet sindikatës dhe ministrisë së Arsimit në fillimisht ndoshta do të fillojmë me një protestë e cila do të mbahet më 1 maj. Mandej do të fillohet me grevë një orësh, pastaj dy orësh e pastaj një ditësh. Urojmë që të mos shkojmë me grevë të përgjithshme e gjithë procesi mësimor të ndërpritet në Kosovë”, ka theksuar ajo.

Tutje, Shala tha se sistemi arsimor në vend është duke u ballafaquar më shumë probleme dhe për këtë është i nevojshëm dialogu me Ministrinë e Arsimit. Marrë parasysh këtë situatë, punëtorët e arsimit sipas saj po bëjnë kërkesa të vazhdueshme që të fillohet më hapa sindikalë.

“Janë mbledhur shumë probleme që e preokupojnë tani sistemin arsimor dhe mësimdhënësit në Kosovë. E dimë që kushtet e punës në shumë shkolla janë të mjerueshme. Pastaj do të debatojmë për çështjen e kontratave individuale të mësimdhënësve, një çështje që tanimë e kanë ngritur drejtoritë komunalë të  Arsimit dhe disa prej komunave dhe për shumë çështje të tjera të arsimit në Kosovë”, ka shtuar ajo.

(Kosova Sot Online )