Zjarri kaplon një dhomë në Spitalin e Pejës, digjet dhoma ku ishin pajisjet e Teknologjisë Informative

  • E.k /
  • 29 May 2024 - 09:27
Zjarri kaplon një dhomë në Spitalin e Pejës, digjet dhoma ku ishin pajisjet e Teknologjisë Informative

Një dhomë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është kapluar në mëngjes, përcjell “Kosova Sot Online”.

Në njoftim thuhet se dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e një defekti në sistemin elektrik.

Spitali njofton se nuk ka persona të lënduar, por janë djegur disa pajisje të Teknologjisë Informative të cilat ndodheshin në dhomën në fjalë.

Njoftimi i plotë:

Informatë lidhur me zjarrin e shkaktuar mbrëmë në një dhomë të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë!

Mbrëmë rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm ka pasur një zjarr në katin e IV-të, të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Pjesëtarët e sigurimit kanë intervenuar menjëherë në shuarjen e zjarrit dhe po ashtu janë njoftuar Policia dhe Zjarrfikësit. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e një defekti në sistemin elektrik.

Me intervenimin e shpejtë është ndalur përhapja e zjarrit, por një dhomë ku kanë qenë pajisjet e Teknologjisë Informative është djegur dhe tani jemi në proces të konstatimit të dëmit material.

Sa i përket data bazës dhe të dhënave tjera të gjitha janë të ruajtura ngase janë të lidhura me sisteme tjera informative dhe asnjë e dhënë apo data bazë nuk është humbur.

Shërbimet ndaj pacientëve kanë vazhduar dhe po vazhdojnë të jepen si gjithnjë dhe puna po vazhdon normalisht, ndërsa ekipet e shërbimeve teknike janë duke u marrë me pastrimin dhe riparimet e nevojshme në dhomën e djegur dhe ambientet tjera të katit të IV të bllokut Kirurgjik.

 

(Kosova Sot Online)