
Sveçla takohet me homologun maqedonas: Biseduam për situatën e sigurisë, sigurinë e kufijve, migrimin e paligjshëm

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot është takuar me homologun e tij në Maqedoninë e Veriut, Panche Toshkovski, përcjell "Kosova Sot Online".
Sveçla njoftoi se kanë biseduar për situatën e sigurisë, sigurinë e kufijve, migrimin e paligjshëm dhe luftën ndaj krimit të organizuar.
"Biseduam edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në kuadër të Ministrive tona dhe për këtë kishim pajtueshmëri të plotë të dyja palët", ka shkruar Sveçla.
Postimi i plotë:
Me kënaqësi kam pranuar ftesën nga homologu im Panche Toshkovski dhe sot realizova vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në selinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup, të shoqëruar nga Drejtorët e policive të dy shteteve tona dhe Zëvëndësministri Astrit Iseni, biseduam për situatën e sigurisë, sigurinë e kufijve, migrimin e paligjshëm dhe luftën ndaj krimit të organizuar.
Fenomenet negative që kanë karakterizuar brezin kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut janë në trend të rënies falë bashkëpunimit të ngushtë policor teksa janë shënuar rezultate të dukshme edhe në luftën e përbashkët ndaj krimit të organizuar.
Biseduam edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në kuadër të Ministrive tona dhe për këtë kishim pajtueshmëri të plotë të dyja palët.
Bashkëpunimi rajonal mbetet krucial si garancë e luftimit të suksesshëm të çdo ilegaliteti që cënon sigurinë e vendeve tona dhe rajonit tonë.
(Kosova Sot Online)