Ja pse Beogradi po i kërkon 'llogari' Shkupit

  • A.P /
  • 15 August 2024 - 22:13
Ja pse Beogradi po i kërkon 'llogari' Shkupit

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, njoftoi se Beogradi kërkon shpjegim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut lidhur me ikjen e Blerim Ramadanit, i cili ishte arrestuar nga autoritetet maqedonase në bazë të një fletarrestimi të INTERPOL-it, të lëshuar me kërkesë të Serbisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Daçiq e cilësoi si “skandaloz” ikjen e Ramadanit nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut.

“Ai është pjesëtar i UÇK-së, i cili ka kryer krime kundër serbëve në Kosovë, të cilin Serbia po e kërkon në mënyrë që të përballet me gjyq”, tha Daçiq, sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arratis nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut. Ai ishte arrestuar muajin e kaluar nga autoritetet maqedonase në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në bazë të fletarrestimit të lëshuar nga Serbia.

Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

(Kosova Sot Online)