Musliu: Kjo Qeveri e do mërgatën veç për vota

  • A.P /
  • 26 October 2024 - 14:41
Musliu: Kjo Qeveri e do mërgatën veç për vota

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, ka ftuar organet e drejtësisë që të hetojnë urgjentisht skandalin me dokumente në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas raportimeve, 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi të mërgimtarëve – janë humbur në postën diplomatike të Republikës së Kosovës, tenderi për shpërndarjen e të cilave i ishte dhënë një kompanie me çmim shumëfish më të shtrenjtë.

“ Si PDK, sot kemi vetëm një kërkesë për organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës që krahas hetimeve të tyre për hajnitë me energjinë elektrike, krahas hetimeve për hajnitë me ambalazhuesit e ujit, atyre me rezervat shtetërore dhe kontratat njëburimore, krahas hetimeve për nepotizëm e korrupsion nëpër institucione të ndryshme publike, urgjentisht të nisë hetimet edhe në MPJD për shkak dyshimeve për keqpërdorime të shumta me dokumentet zyrtare të qytetarëve tanë dhe ndërhyrjet e saj joligjore në organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme”, ka thënë Musliu – Shoshi.

Deputetja e PDK-së ka thënë se si pasojë e këtij dështimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, shumë udhëtime e bashkime familjare do të shtyhen, shumë punë do të ndërpriten, shumë shpenzime të qytetarëve tanë do të bëhen, e fatkeqësisht, edhe shumë plane të tyre do të prishen.

“Të risjellim në vëmendje vonesat e shumta për shkak të mungesës së materialit  në fillim të mandatit qeveritar, pastaj vonesat me muaj të tërë të dërgimit të dokumenteve nëpër misionet tona Konsullore për shkak të mos nënshkrimit me kohë të kontratave nga Ministrja Gervalla Schëarz. Të dyja këto ngecje ndodhën me qëllim të aplikimit të kontratave njëburimore nga qeveria”, tha Musliu – Shoshi.

Sipas saj, Qeveria Kurti e do mërgatën vetëm për vota.

“Këtë e vërteton edhe skandali tjetër i cili u zbulua dje nga mediat, për ndërhyrjen e MPJD-së në organizimin e zgjedhjeve. Në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Kushtetutën e Republikës, kjo ministri ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e misioneve konsullore që të sigurojnë hapësira të reja për votimin e diasporës për zgjedhjet nacionale”, ka thënë ajo.

(Kosova Sot Online)