
Zbardhen detaje: Ja si u arrestua nga Policia gabimisht dhe u keqtrajtua fizikisht qytetari i pafajshëm për rastin në Ferizaj

Njeriu që therri me thikë 4 persona në Ferizaj është Fadil Islami, i cili u vetëdorëzua në polici e jo Ekrem Sadiku i cili u arrestua brutalisht nga policia.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Ferizaj, ku një person i identifikuar si Ekrem Sadiku u arrestua dje nën akuzën për sulm ndaj katër qytetarëve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Pas shpërndarjes së lajmit në media, Ekremi u bë shënjestër duke u quajtur "vrasës" nga shumë përdorues të rrjeteve sociale. Megjithatë, një zhvillim i papritur ka hedhur dritë mbi këtë ngjarje, duke vërtetuar se Ekremi nuk ka pasur asnjë lidhje me sulmin, dhe personi i vërtetë i dyshuar është dikush tjetër, në këtë rast Fadil Islami i cili u vetëdorëzua.
L.Selmani, një mik i ngushtë dhe bashkëfshatar i Ekremit, ka shprehur keqardhjen dhe ka kërkuar falje publike për mesazhet e gabuara që qarkulluan pas lajmit të arrestimit të tij. "Dje, për sulmin ndaj katër qytetarëve u arrestua Ekremi, një kojshi dhe moshatar i imi. Të gjitha portalet e publikuan fytyrën e tij dhe komentet që e vershuan ishin ashtu siç e meriton një vrasës," shkruan Selmani. Ai shton se "Ekremi nuk ka qenë sulmuesi, por dikush tjetër. Ekremi, se paku, e meriton një kërkim falje nga të gjithë ata që e publikuan foton e tij."
Selmani thekson gjithashtu se, "Ekrem Sadiku, sinqerisht, të kërkoj falje që për një moment edhe unë fillova të besoj se ti ishe sulmuesi." Ky postim ka shpërthyer në rrjetet sociale, duke tërhequr reagime të shumta për padrejtësinë dhe shpejtësinë me të cilën u dënuan njerëzit pa pasur asnjë provë të mjaftueshme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Po ashtu, B. Elezi, një tjetër qytetar i Ferizajt, ka kritikuar ashpër vonesën e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) në reagimin ndaj veprimeve të papërgjegjshme të Policisë së Kosovës, të cilët nuk kishin marrë masat e duhura për të parandaluar rrezikun për qytetarët. Ai ka thënë se vonesa e IPK-së për të rekomanduar minimalisht suspendimin e rreshterit të DRF në Ferizaj dhe të zyrtarëve të PK në stacionin e Ferizaj për "eksponimin e rrezikut të qytetarëve të Ferizajt" është një tjetër tregues i performancës së dobët të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë.
Elezi ka theksuar se Policia e Kosovës dhe DRF kanë vepruar me jofrofesionalizëm ekstrem, dhe ka akuzuar rreshterin K.C, të cilin e ka njohur personalisht, për urdhërimin e arrestimit dhe dhunimin fizik të Ekremit. "IPK, fillimisht, duhet të rekomandojë suspendimin e këtyre zyrtarëve dhe më pas të zhvillojë hetime për vepra të mundshme penale nga ana e zyrtarëve policor të Kosovës," ka kërkuar Elezi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ky rast ka ngritur pyetje të shumta mbi profesionalizmin dhe përgjegjësinë e organeve të rendit në Kosovë, duke vënë në dyshim mënyrën e trajtimit të qytetarëve nga Policia e Kosovës.
(Kosova Sot Online)