Jahjaga i vlerëson konstruktive qëndrimet e liderëve politikë rreth ngërçit

  • 08 February 2016 - 16:04
Jahjaga i vlerëson konstruktive qëndrimet e liderëve politikë rreth ngërçit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në një takim të përbashkët liderët e partive politike parlamentare, Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së,  Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, Sllavko Simiq, udhëheqës i Listës Srpska dhe Mahir Jagxhillar, përfaqësues i 6+, për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend.

Siç njofton kumtesa nga Presidenca, në takim të pranishëm ishin edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, transmeon gazeta Kosova Sot Online.

Presidentja Jahjaga falënderoi liderët e partive politike parlamentare që i janë përgjigjur ftesës së Presidentes për të rivendosur dialogun pozitë-opozitë si mënyrë për të ripërtërirë konsensusin thelbësor demokratik në Kosovë.

Gjatë takimit, i cili u mbajt në frymë konstruktive, udhëheqësit politikë paraqitën qëndrimet e tyre për tejkalimin e bllokadës politike dhe shprehën gatishmëri për të kërkuar zgjidhje të përbashkët. 

(Kosova Sot)