Qeveria Kurti del me njoftim
Një samit BE-Ballkani Perëndimir i planifikuar që të mbahet në datat 4-5 dhjetor është anuluar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Këshilli i Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës e kishte anuluar samitin për shkak të refuzimit të një tenderi të dyshimtë për organizimin e ngjarjes.
Ngjarja dyditore në Neum ishte menduar të mblidhte së bashku palët kryesore të interesuara nga rajoni dhe Bashkimi Europian për të diskutuar çështje të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale.
Qeveria e Kosovës sot ka njoftuar se në këtë samit nga Kosova do të merrte pjesë Kryeminisri Kurti.
Kurti megjithatë do të shkojë në Bosnjë e Hercegovinë, më saktë në kryeqytetin e saj Sarajevë për një aktivitet tjetër.
“Ky udhëtim i kryeministrit në Bosnjë dhe Hercegovinë ishte paraparë të ndodhte në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej më datë 4 dhe 5 dhjetor në Neum. Për shkak disa problemeve, të cilat tashmë i ka bërë të njohura organizatori, ky samit është anuluar” ka thënë zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.
“Megjithëkëtë, kryeministri do të realizojë një vizitë të shkurtër në Sarajevë, ku do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues politik, si dhe do të marrë pjesë në një organizim të organizatës joqeveritare ‘Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99’”, ka shtuar ai.
Vizita e paralajmëruar e Kurtit sonte në Sarajevë ka nxitur reagime dhe kundërshtime nga disa zyrtarë të Republikës Srpska, përfshirë edhe kryetarin e saj, Milorad Dodik. Ndërkaq, ministrat nga RS thanë se nuk do të marrin pjesë të enjten në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës për shkak të vizitës së Kurtit.
(Kosova Sot Online)