
Hill për shpërthimin në Ibër-Lepenc: ShBA-të nuk shohin bazë për të drejtuar gishtin te dikush

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka komentuar shpërthimin me eksploziv që ndodhi në zonën e kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, për të cilin qeveria kosovare beson se mund të jetë orkestruar nga Serbia. Hill ka theksuar se, për momentin, ShBA-të "nuk shohin bazë për të drejtuar gishtin te dikush", transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai ka theksuar rëndësinë e një hetimi të besueshëm dhe të kredibilitetit të tij. Hill ka përmendur se Serbia ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur një hetim serioz, që do të përfshinte edhe faktorë ndërkombëtarë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ambasadori amerikan ka shpjeguar se ShBA-të janë të gatshme të kontribuojnë në këtë hetim, duke shpresuar që Bashkimi Evropian gjithashtu të angazhohet për një rezultat të mundshëm.
Pavarësisht shqetësimeve për pasojat që shpërthimi mund të kishte shkaktuar, Hill ka nënvizuar se, fatmirësisht, situata është stabilizuar shpejt, me normalizimin e situatës brenda disa ditësh. Megjithatë, ai ka theksuar se kjo nuk do të thotë se nuk është e nevojshme të përcaktohet se si ndodhi dhe kush është përgjegjës për këtë akt, për të cilin BE-ja e ka cilësuar si akt terrorist.
(Kosova Sot Online)