Vdiq kameramani i njohur kosovar Fatmir Bajrami

  • A.P /
  • 04 January 2025 - 09:56
Vdiq kameramani i njohur kosovar Fatmir Bajrami

Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare ish-kameramani i RTP-së, kameramani i luftës në Kosovë dhe kameramani i RTK-së deri në pensionim, Fatmir Bajrami, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Fatmir Bajrami lindi më 25 korrik 1949 në Prishtinë, derisa studimet për kamerë filmike i kreu në Paris. Më 1975 pas përfundimit të studimeve ka filluar punën në RTP, deri në masat vendosjen e masave të okupimit, për të vazhduar si punëtor i RTK-së me themelimin e tij e deri në pensionim në vitin 2014.

Ka qenë ndër xhiruesit e parë filmik në Kosovë, me disa projekte të realizuara duke përfshire: Dashnija e Bjeshkëve të Nemuna, Buka e Hidhur, Burgu i Mërgimit. Gjatë viteve të 90’ta ka qenë aktivisht i përfshirë në realizimin e projekteve të ndryshme muzikore dhe artistike si dhe të aktiviteteve politike.

Gjatë kohës së luftës ka punuar vullnetarisht, por edhe si korrespodent me ekipin e televizionit France 2 dhe përmes kamerës së tij ka sjellë pamje nga fronti i luftës dhe kampet e refugjateve.


(Kosova Sot Online)