
Cilat grante ngriu SHBA-ja për Kosovën

Nga projekte e programe në vlerë afro 130 milionë euro nga Shtetet e Bashkuara për Kosovën, nuk dihet se sa janë shfrytëzuar deri tash e sa janë ngrirë pas vendimit të presidentit Donald Trump për t’i pezulluar ndihmat e huaja për një periudhë 3-mujore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Grante e donacione për të mbështetur sistemin gjyqësor, transparencën e llogaridhënien qeveritare e për përmirësimin e tregut të energjisë janë ngrirë pas vendimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump për të pezulluar për 90 ditë ndihmat për jashtë.
Fondet nga SHBA-ja në Kosovë kanë ardhur kryesisht nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID.
Në gusht të vitit të kaluar, presidentja Vjosa Osmani, e nënshkroi një grant me këtë Agjenci në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.
Krahas kësaj, USAID në Kosovë ka projekte në mbështetje të sistemit gjyqësor në vlerë 24 milionë euro, për transparencë dhe përfshirje të qytetarëve në vendimmarrjen lokale në vlerë 26 milionë euro, për përmirësimin e energjisë 12 milionë euro e edhe aktivitete e programe të tjera në vlerë rreth 31 milionë euro.
Nga këto projekte në vlerë afro 130 milionë euro, nuk dihet se sa janë shfrytëzuar deri tash e sa kanë mbetur të ngrira.
E që nga paslufta, USAID ka investuar në Kosovë rreth 1 miliard dollarë.
Lidhur me këtë, KOHA pyetje i ka dërguar Qeverisë, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.
Ndërsa në një përgjigje nga USAID thuhet se përveç ndihmës humanitare që ndikon në shpëtimin e jetëve, të gjitha mjetet e tjera janë ngrirë.
“Aktualisht, për të kryer një rishikim të plotë, të gjitha programet dhe grantet që përdorin fonde të ndihmës së huaj janë pezulluar, përveç atyre që kanë marrë një përjashtim të miratuar nga sekretari i Shtetit”, thuhet në përgjigje.
(Kosova Sot Online)