Bashkëpunimi ushtarak Kroaci-Kosovë-Shqipëri synon stabilitet

  • A.P /
  • 13 February 2026 - 14:15
Bashkëpunimi ushtarak Kroaci-Kosovë-Shqipëri synon stabilitet

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, ka deklaruar sot në Bruksel se bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë nuk përbën kërcënim për askënd dhe se synimi kryesor është stabiliteti i rajonit.

“Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidate për BE, Kosova synon anëtarësimin në BE dhe NATO, Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s, dhe për këtë arsye interesat tona janë të përbashkëta. Ne kemi interes stabilitetin e këtij rajoni të Evropës, e jo destabilizimin”, tha Anushiq për agjencinë e lajmeve “Beta”.

Ministri kroat kujtoi se Kroacia ka një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes edhe me Serbinë, të nënshkruar në vitin 2010, e cila mbulon nëntë fusha të bashkëpunimit dhe që vazhdon të jetë në fuqi.

“Kroacia dëshiron t’i ndihmojë Shqipërisë dhe Kosovës në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, ashtu siç jemi të gatshëm ta bëjmë edhe për Serbinë, nëse vendos të ndjekë rrugën evropiane apo atë të NATO-s”, theksoi Anushiq, i cili mori pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

Ai shtoi se brenda NATO-s dhe BE-së ekzistojnë dhjetëra marrëveshje dhe deklarata të bashkëpunimit, të cilat kanë për qëllim shkëmbimin e njohurive, teknologjive dhe lidhjen e industrive të mbrojtjes.

“Nuk kemi qenë kurrë kërcënim për askënd, veçanërisht jo Kroacia, dhe as nuk e planifikojmë të jemi. Anëtarësimi ynë në NATO dhe BE na obligon dhe ne as mundemi, as duam të veprojmë ndryshe”, shtoi ministri kroat.

(Kosova Sot Online)