Zeqiraj: Është cinike kur eksponentë të strukturave partiake akuzojnë Vjosa Osmanin se e ‘shkatërroi’ LDK-në!

Zeqiraj: Është cinike kur eksponentë të strukturave partiake akuzojnë Vjosa Osmanin se e ‘shkatërroi’ LDK-në!
Zeqiraj: Është cinike kur eksponentë të strukturave partiake akuzojnë Vjosa Osmanin se e ‘shkatërroi’ LDK-në!

Idriz Zeqiraj

  • 13 February 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes, që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit”, - ka arsyetuar nënshkrimin për aderim në këtë projekt presidentja Vjosë Osmani.

 

-Arsyetimin e pjesëmarrjes së Kosovës në "Bordin e Paqes" e shpjegon, në sintezë dhe bindshëm, Presidentja në fragmentin sipër. Është një rast unik që një presidente - par exellence - të urrehet kaq shumë dhe subjektivisht nga një opozitë ultra-destruktive, por që admirohet në shumësinë absolute nga populli dhe shqiptarët e kudondodhur.

Është e ulët dhe cinike kur eksponentë të strukturave partiake akuzojnë Vjosë Osmanin se "e shkatërroi LDK-në!" Jam dëshmitar okular kur më 25 maj 2015, në Kuvendin e 8-të Zgjedhor, paraqiti kandidaturën për kryetare të LDK-së. Klani i Isa Mustafës e përballi me klauzolën e shtuar në statut 51+1 dhe votimin e hapur, si mundësi konkurrimi! Ajo reagoi ashpër, duke u larguar nga salla dhe e zemëruar deri në lot. Sepse heshtën, si peshqit, të 355 delegatët e Kuvendit, duke pranuar votimin e hapur, praktikë kjo komuniste dhe fashiste, për ta mbajtur pushtetin dhunshëm dhe turpshëm. Krejt njëjtë, nga frika e konkurrencës, bodigardët e ministrave të Isa Mustafës e tërhoqën zvarrë nga salla e Konventës kryetaren e Degës së LDK-së për Gjermani, Donikë Gërvallën. Dhe kanë fytyrë të deklarohen se "nuk e votojmë Vjosë Osmanin".

Është domethënës fakti se presidenti Trump paragjykohet njësoj si presidentja Osmani. Të gjitha vendimet që marrin dhe veprimet që bëjnë ua quajnë personalizim dhe karrierë! Tendencë e turpshme, denigruese dhe shpifje hapur e lexueshme. Vërtet, Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë me hu në krah, sepse pararendësit demokratë e kishin lënë "llugë" politikën e brendshme dhe të jashtme.

SHBA ndihen të tradhtuara nga aleati i parë, Evropa. "Mos hapni tubacionin e gazit nga armikja Rusi, se ajo po vjel miliardat e eurove nga Evropa!" "Shtoni buxhetin e mbrojtjes së vendit nga 2 % në 10 %!", përsëri refuzuan. Presidenti Trump rriti tarifat doganore, jo vetëm për shtetet armike, por edhe për ato partnere. Madje, për disa shtete ku sundojnë shtetarë banditë, me krime e hajni zyrtare, njësoj si Kosova dikur.

Trump ndërpreu financimin për 76 organizata dhe shoqata, kinse humanitare, joqeveritare, abuzuese me fondet miliardëshe. Dhe, siç e arsyetoi vendimin e tij ai, sepse këto organizata dhe shoqata udhëhiqen nga e majta botërore, përkatësisht Rusia, madje kundër vetë financueses kryesore, Amerikës. Janë këto organizata majtiste në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat kanë pushtuar mediat e shkruara dhe vizive, me mercenarë të paguar, që ia kanë zënë frymën të djathtës gjithëshqiptare. Kujtoni Eugen Cakollin, përfaqësues i Demokracia në Veprim, kur e mbështet Gjykatën Kushtetuese se "votimi i fshehtë i kryetarit dhe organeve kuvendore është i jashtëligjshëm", duke bërë bllokadën gati njëvjeçare dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të sërishme.

Edhe ndryshimin e ligjit për 77 shtete, për marrjen e vizave dhe të shtetësisë amerikane, Trumpi e korrigjoi, pasi 45 % e ardhacakëve nga Shqipëria dhe Kosova jetojnë si parazitë, nga djersa e qytetarëve amerikanë. Parazitë të ngjashëm vijnë edhe nga shtete të tjera të cituara në vendim.

Pse arriti të fitojë Trump mandatin e dytë, edhe pas dhjetëra akuzave të bëra nga gra të përdala dhe të tjera akuza? Sepse ai lansoi sloganin se "Amerika mjaft ka punuar për botën, tani duhet të punojë, së pari, për qytetarët amerikanë". Kjo ishte edhe përzgjedhja amerikane.

"Bordi i Paqes" është në shërbim të - Rendit të Ri - botëror. Ky na kujton presidentët Reagan dhe Bush, por, për nga shërbimi i drejtpërdrejtë, edhe Bill Clinton, me ndërhyrjen humanitare, me "Apaçet" e tij, për ta shpëtuar një popull të mundur nga fashizmi serbo-sllav.

Politika e Jashtme e Kosovës ka qenë dhe mbetet në duar të sigurta. Ata që instrumentalizoheshin nga Vuçiqi, me bandën e tij, duke qenë të shantazhuar me dosje penalizuese për krime faktike, kryesisht vrasjet serike të kundërshtarëve politikë shqiptarë, nuk janë më në poste drejtuese të Kosovës. Të paktën, përgjatë këtij 5-vjeçari qeverisës, janë dëshmuar si roje besnike të Atdheut-Kosovë, me gjithë presionin e vazhdueshëm të Beogradit zyrtar, të disa aleatëve të saj, si edhe të opozitës PAN-iste, palë me Serbinë, madje në kundërshtim me të gjitha vendimet që ndërmerrte qeveria Kurti 2, për shtrirjen e sovranitetit "cep më cep" të vendit!

Pjesëmarrja e shteteve për të ndihmuar një popull të sakatosur nga lufta e parathotë obligimin, përveç solidarizimit moral, edhe atë material financiar. Është përmendur shifra prej 1 (një) miliard euro për Kosovën, por presidentja Vjosë Osmani e ka sqaruar se, me rastin e nënshkrimit të pjesëmarrjes vullnetare në "Bordin e Paqes", nga askush nuk është përmendur ndonjë shumë e kontributit material. Megjithatë, është brenda mundësive të Kosovës të solidarizohet me një shifër modeste, qoftë edhe me 10 % të 1 (një) miliardëshit. Këtë çështje duhet ta ketë diskutuar edhe me të zotin e kuletës, shefin e qeverisë, Albin Kurtin, i cili, pa u hamendur, e aprovoi pjesëmarrjen e Kosovës në "Bordin e Paqes".

SHBA dhe bota përparimtare e humanitare kanë derdhur miliarda për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. Gjermania me habi pyet: "Ku mbetën 5 (pesë) miliardët e eurove të dhuruara Kosovës?!" Por heshtja e pushtetarëve të kohës ka qenë e koracuar. Pasuritë marramendëse të "komandantëve" japin përgjigjen e saktë.

Kosova nuk guxon të bie pre e propagandës së agjentëve shqipfolës në shërbim të Beogradit. Trump është i përmbushur në ambiciet e tij personale, duke arritur kupolën, president i Amerikës në dy mandate. Veprimet e tij nuk janë personalizuese, por vendime prej një burri shteti dhe njerëzore.

Pjesëmarrja e Presidentes Osmani në "Bordin e Paqes" nuk mund të reduktohet si çështje personale, por është përfaqësim i drejtpërdrejtë i shtetit të Kosovës, si qëndrim perspektiv i Amerikës për Kosovën. Qëndrimi i Shtëpisë së Bardhë ndaj Kosovës daton qysh në nisjen e pluralizmit. Dhe kulmon me bombardimin meritor të Serbisë dhe deri te deklarimi-porosia e Bushit junior "kur është boll, është boll", tashmë e bërë proverbiale, duke rezultuar me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Dhe kjo është përgjigje për të gjithë llapaqenët gojëkëqinj, që, duke shpifur e denigruar një presidente brilante si Vjosë Osmani, duan ta kthejnë në hiç nismën madhore e fisnike të SHBA-së, siç është "Bordi i Paqes", për t’i dhënë fund një gjakderdhjeje prej afro 8 (tetë) dekadash.

Përpjekja pozitive e presidentit Trump për ta promovuar shtetin e Kosovës në familjen e madhe pro-perëndimore dhe në sferën amerikane nuk fillon me presidentin aktual Trump. Por është interesim dhe mbështetje e hershme amerikane, qysh para Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Këtë e dokumenton doajeni i gazetarisë dhe i diplomacisë gjithëshqiptare, Faik bej Konica. Dhe, në vitin 1915, presidenti William Wilson bëri ndërhyrjen vendimtare për moscopëtimin e Shqipërisë. Mbreti i Shqiptarëve, Zogu i Parë, me Mbretërinë e tij më liberale dhe pro-perëndimore në Ballkan, vuri bazat e miqësisë me Amerikën demokratike. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore (LDB), agjentët e Serbisë dhe të Rusisë, Enver Hoxha, me byroistët e tij stalinistë, ndërpreu marrëdhëniet me shtetet perëndimore dhe Amerikën, për ta sunduar Shqipërinë dhe popullin e saj në mënyrën më të egër, duke e kaluar edhe fashizmin.

Megjithatë, Amerika mbajti në agjendë Shqipërinë dhe popullin shqiptar, duke u dhënë strehë të gjithë atyre atdhetarëve, kundërshtarë të komunizmit namkeq, si dhe duke denoncuar para botës kriminelët pushtetarë, hafije të Serbisë, Rusisë, Kinës dhe llumhanës komuniste botërore.

Me fundin e monizmit, me pluralizmin në fillim të viteve ’90, përfaqësuesit shpirtërorë dhe faktikë të popullit shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë, respektivisht Prof. Dr. Sali Berisha dhe Dr. Ibrahim Rugova, ripërtërinë miqësinë dhe bashkëpunimin me Evropën, Amerikën dhe botën demokratike.

Deputetët e Kosovës duhet të mburren me presidenten e tyre dhe të shqiptarëve të Kosovës, duke e vlerësuar si privilegj që u ka rënë për hise një presidente unike. Ajo ka mençurinë dhe intuitën e duhur për ta bërë diplomacinë shtetërore, së bashku me kryeministrin Kurti dhe Ministrinë e Jashtme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".