Moska: Do arrijmë qëllimet tona në Ukrainë

  • A.P /
  • 10 March 2025 - 11:38
Moska: Do arrijmë qëllimet tona në Ukrainë

Rusia i është kundërpërgjigjur kërcënimit të Donald Trump për më shumë sanksione ndaj tyre duke thënë se asgjë nuk do ta ndalë Moskën të arrijë qëllimet e saj në Ukrainë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Trump reagoi pas sulmeve që lanë 5 persona të vrarë dhe mbi 18 të tjerë të plagosur në Ukrainë dhe shkroi se palët duhet të ulen në tryezën e negociatave përpara se të jetë tepër vonë.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova në një prononcim për CNN u shpreh se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbështetësi më i madh i Kievit në këtë luftë dhe e kanë kuptuar se Ukraina nuk mund ta fitojë këtë luftë në fushëbetejë.

Zakharova u shpreh se Rusia ka duruar kaq shumë sanksione dhe se asgjë nuk do ta ndalë atë.

Presidenti Amerikan i cili vijon këmbënguljen e tij për të mbyllur sa më parë luftën në Europën Lindore u shpreh këtë të premte nga Zyra Ovale se për të është e më e lehtë të komunikojë me Rusinë për fundin e luftës sesa me Ukrainën.

Trump shtoi se është Moska ajo që ka kartat e kësaj lufte në duar ndërsa deklaroi se beson që Putin dëshiron paqe.

(Kosova Sot Online)