Vjosa Osmani mirëpret njohjen nga Kenia: Vendimi i nënshkruar ka ardhur në Presidencë

  • A.P /
  • 26 March 2025 - 16:00
Vjosa Osmani mirëpret njohjen nga Kenia: Vendimi i nënshkruar ka ardhur në Presidencë

Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar se vendimi i Kenias për njohjen e pavarësisë së Kosovës është dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë i nënshkruar nga presidenti i Kenias William Ruto, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial. Njëkohësisht është edhe njohje e vuajtjeve të gjata e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri”, ka thënë Osmani.

Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, Osmani shprehu falënderime ndaj presidentit të Kenias, William Ruto, për “këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe ndaj institucioneve dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap të madh diplomatik”.

Osmani tha se “përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve.

“Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do te merret shpejt, bazuar në të drejten nderkombetare dhe ne sakrificen e gjate te popullit tone”.

(Kosova Sot Online)