
Putin del me paralajmërim

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se Rusia do të ulë shpenzimet ushtarake duke filluar nga viti 2024 dhe përgjatë tre viteve të ardhshme. Njoftimi u bë gjatë një samiti ekonomik në Minsk, ku morën pjesë liderët e pesë shteteve post-sovjetike, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Putin tha se kjo masë synon menaxhimin më efikas të burimeve të mbrojtjes dhe përballimin e pasojave ekonomike që ka shkaktuar lufta. Ai reagoi edhe ndaj planeve të NATO-s për të rritur buxhetin e mbrojtjes në 5% të PBB-së, duke akuzuar Perëndimin për përgatitje agresive dhe përfitime ekonomike në industrinë ushtarake amerikane.
Njoftimi vjen në kohën kur zyrtarë të lartë rusë kanë paralajmëruar se vendi ndodhet pranë recesionit. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Maxim Reshetnikov, deklaroi se burimet për nxitjen e rritjes ekonomike janë thuajse të shterura.
Edhe guvernatorja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina, ka theksuar se ekonomia ruse është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të shpenzimeve të mëdha në mbrojtje dhe rënies së kapacitetit të brendshëm për zhvillim.
(Kosova Sot Online)