Deputetët do të tentojnë për herë të 40-të të konstituojnë Kuvendin

  • A.P /
  • 01 July 2025 - 08:15
Deputetët do të tentojnë për herë të 40-të të konstituojnë Kuvendin

Deputetët do të tentojnë për herë të 40-të, sot në orën 11:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari ka vijuar të dielën punimet seanca konstituive e Kuvendit. 

Kryesuesi Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë. Lidhur me këtë pati mospajtime nga deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, përkatësisht Vlora Çitaku, Hykmete Bajrami dhe Time Kadriaj. 

Kryesuesi Dehari rikujtoi se në seancën konstituive nuk lejohet debati.  Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim. 

Me 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje. Kryesuesi i seancës paralajmëroi vazhdimin e saj të martën, më 1 korrik, në orën 11:00. 

(Kosova Sot Online)