
Arrestohen dy 21-vjeçarë pasi u kapën me kallashnikov

Një incident i rrezikshëm ka ndodhur në mëngjesin e së dielës në zonën malore të Deçanit, ku qytetarët kanë alarmuar Policinë për të shtëna me armë zjarri që po ndodhnin në bjeshkët e Baballoqit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas raportimeve brenda organeve të rendit bëjnë të ditur se më 6 korrik 2025, rreth orës 10:00, një qytetar ka raportuar se disa persona me një veturë xhip po qëllonin me armë në një pjesë të populluar të bjeshkës dhe se banorët ndiheshin të rrezikuar.
Menjëherë patrullat e Stacionit Policor në Deçan kanë ndërhyrë dhe gjatë kontrollit në terren kanë hasur dy të rinjtë e dyshuar: Art Mataj, 21 vjeçar dhe Shkëmb Shala, 21 vjeçar, të cilët po qëndronin pranë një debani – pronë e njërit prej tyre.
Gjatë kontrollit të zonës, policët kanë gjetur në tokë disa gëzhoja armësh, ndërsa gjatë pyetjes paraprake, Art Mataj ka deklaruar se posedonte një armë automatike të llojit AK-47, të cilën e mbante nën një tavolinë në oborr.
Ndërkohë, Shkëmb Shala ka pranuar se në brendësi të debanit, nën një krevat, posedonte një pistoletë të tipit M57 TT, kalibër 7.62mm.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe krimteknikët e Stacionit Policor Deçan, të cilët kanë bërë eksaminimin e vendit dhe sekuestrimin e armëve të zjarrit.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, janë bastisur shtëpitë e të dy të dyshuarve, ndërsa të dy janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në ndalim.
(Kosova Sot Online)