
Ky është i riu kosovar që vdiq derisa u arrestua nën britma e duke shqelmuar

Qytetari Agon Zejnullahu ka vdekur në orët e para të së hënës pak pasi u arrestua nga policia, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, tha se i ndjeri ishte arrestuar pas informacioneve se në gjendje të dehur po sulmonte kalimtarë dhe automjete.
Ai ka shtuar se ekipi mjekësor i ka dhënë ndihmën e parë, por ka rezultuar pa sukses.
“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda. Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Aktualisht policia po vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha ai.
Ndërkohë janë publikuar edhe fotografi të të ndjerit dhe pamje të arrestimit të tij nën britma e duke shqelmuar.
Për vdekjen e Zejnullahut, ngushëllime kanë shprehur nga Komuna e Lipjanit.
“Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, në emër të institucioneve komunale, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Agon Zejnullahut nga fshati Banullë.E nderuar familje Zejnullahu: Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen e parakohshme të më të dashurit tuaj Agon Zejnullahut, Kjo ngjarje e rëndë ka prekur thellë jo vetëm familjen tuaj, por edhe gjithë qytetarët e Komunës së Lipjanit.Në këto momente të dhimbshme, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin Agonin.”

(Kosova Sot Online)