Rasti i Agon Zejnullahut po krahasohet me vrasjen George Floyd në SHBA nga policia

  • A.P /
  • 08 July 2025 - 13:05
Rasti i Agon Zejnullahut po krahasohet me vrasjen George Floyd në SHBA nga policia

Me pranga në duar, Agon Zejnullahu një 27-vjeçar vdiq në mesnatë në asfalt në Lipjan, i rrethuar nga disa policë që për arrestimin e tij, duket se i përdorën edhe gjunjtë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Fundi i jetës së Agon Zejnullahut po krahasohet me vrasjen e George Floyd në SHBA nga Policia.

 

Një 27-vjeçar vdiq me pranga në duar në orët e para të së hënës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Zyrtarët policorë, që u prangosën vetë në mbrëmje, u tha se kishin intervenuar për ta neutralizuar Agon Zejnullahun pasi ai “dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë”, sipas Policisë.

Një rreshter dhe katër zyrtarë të tjerë policorë të përfshirë në këtë rast u arrestuan mbrëmë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

IPK tha se paraprakisht i ka intervistuar ata, dhe se për rastin ishin mbledhur dëshmi e ishin zhvilluar veprime hetimore gjatë ditës. Policëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Në kuadër të hetimit pritet të ndërmerren edhe shumë veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident si dhe priten edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore”, paralajmëroi Inspektorati Policor.

Vdekjen e qytetarit dhe reagimin policor, hetuesit e IPK-së e hetuan të hënën në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. U identifikuan dhe intervistuan dëshmitarë okularë dhe u mblodhën prova materiale, kryesisht incizime nga kamerat e sigurisë dhe nga telefonët e dëshmitarëve.

Valdet Hoxha, ish-kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës tha se raporti mjekësor “ka konstatuar se në momentin që kanë konstatuar vdekjen e tij, qytetari ka pasur pranga në duar”.

Ky rast, u krahasua me vrasjen e afro-amerikanit George Floyd nga një polic amerikan në vitin 2020, i cili u dënua me 22 vjet e gjashtë muaj burgim. 46-vjeçari ishte filmuar duke thënë bërtitur “Nuk mund të marr frymë”, ndërsa polici ia mbante gjurin e tij në qafë.

Kjo nxiti protesta të mëdha në SHBA kundër racizmit dhe dhunës policore dhe ka shtyrë përpara përpjekje për reforma policore në nivel kombëtar.

“Vdes George Floyd – në duart e policisë – krejt Amerika çohet n’këmbë. Protesta, rrëmujë, presion. Shteti dridhet. Aq masive dhe të tensionuara kanë qenë protestat pas vrasjes së George Floyd, sa që Presidenti amerikan u detyru me u futë në bunker. Te na, vdes një djalë 27-vjeçar – në duart e policisë. Reagimi? Disa statuse prej shtëpisë”, shkroi Arianit Koci.

“Videot flasin vetë”, thotë Alban Zejnullahu, vëllai i Agon Zejnullahut, i cili tregoi se si u informuan për rastin.

“Na telefonoi dikush nga stacioni policor, na thanë të shkojmë në emergjencë”, tha ai. “Kur shkuam aty, krejt çka pamë ishte një çarçaf i bardhë mbi vëllain tim dhe ishte pa shenja jete. Kishte shenja në fytyrë, trup, sikur të ishte ndonjë rrahje masive”.

“Ishim të habitur. Informacione na jepnin aty-këtu dikush, jo infarkt, dikush thoshte nga alkooli i tepruar… Nuk dinim ku të drejtoheshim”, tha ai.

Pasi ishin kthyer në shtëpi, Alban Zejnullahu tha se kishin pranuar disa video nga qytetarë.

“Shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë”, thekson ai.

Disa media publikuan pamje të rënda, të cilat megjithëse të pakontekstualizuara, tregonin të riun që nxirrej nga një veturë dhe shtrihej në asfalt, me të paktën tre zyrtarë policorë mbi të që po përpiqeshin t’ia lidhnin duart. Ata shihen duke i përdorur gjunjtë për ta neutralizuar të riut.

Në një sekuencë tjetër, 27-vjeçari shihet në gjunj, pa reagim, me policët që i qëndrojnë përreth dhe një autoambulancë që shkon atje.

“Ne posedojmë video që vërehet duke bërtitur në frymën e fundit dhe goditet në fytyrë, dhe aty më nuk lëviz”, thotë vëllai i tij, Alban Zejnullahu.

Ai thotë se mjekja e rastit ka thënë se “e kanë ftuar për një përleshje mes qytetarëve”.

“Nuk ka pasur qytetarë të tjerë aty… E ka gjetë të vdekur. Ai konstatimi i policëve që ka vdekë në emergjencë nuk qëndron fare”, thotë Alban Zejnullahu.

Sipas Policisë, ata rreth orës 00:15 të së hënës kishin pranuar informacion se një person “ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë” në Lipjan. “Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, thotë Policia.

“Uroj që shteti të mos e fshehë këtë rast”, thotë Alban Fejzullahu.

(Kosova Sot Online)