Zelensky: SHBA-ja ka rifilluar furnizimet ushtarake në Ukrainë

  • A.P /
  • 12 July 2025 - 10:27
Zelensky: SHBA-ja ka rifilluar furnizimet ushtarake në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar zyrtarisht dërgesat ushtarake për Kievin, pas një ndërprerjeje të shkurtër që ndodhi javën e kaluar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Lajmi është bërë publik të premten, ndërsa ai ka njoftuar se në ditët në vijim do të intensifikohen kontaktet me përfaqësuesit amerikanë për të thelluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Në një adresim për publikun, Zelensky ka treguar se Ukraina ka marrë sinjale të qarta nga SHBA dhe aleatët perëndimorë për rifillimin e ndihmës ushtarake dhe përkushtimin e tyre ndaj forcimit të kapaciteteve të ushtrisë ukrainase.

“Jemi duke punuar aktualisht me partnerët për furnizime të reja, rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë dhe mbështetje më të mirë për ushtrinë tonë”, ka thënë Zelensky.

Ai gjithashtu ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillohen takime në nivel të lartë me përfaqësuesin e posaçëm të SHBA-së, Keith Kellogg, për të koordinuar më tej ndihmën ushtarake amerikane.

“Javën e ardhshme, do të vazhdojmë të punojmë me palën amerikane në nivel ushtarak, po ashtu jemi duke u përgatitur për pakot e reja të mbrojtjes nga Evropa”, ka shtuar ai.


(Kosova Sot Online)